"Duartrokitjet e zjarrta dhe duartrokitjet e munguara"
Nuk e di sepse, por di të them që ne shqiptarët jemi shumë të ndjeshëm ndaj politikës dhe nuk e di se ku prek ajo, që të gjithë ngrihen në këmbë dhe brohorasin njëzëri. Marr shkas nga festa e Ditës së Verës, organizuar këtu në Kukës, ku ishin të ftuar disa këngëtarë të njohur nga Kosova dhe shumë këngëtarë të rrethit tonë. Festa vazhdon dhe madje shumë bukur, pasi populli ka pak nevojë të dalë nga rutina e përditshme e politikës. Por është i çuditshëm fakti se kur dalin në skenë këngëtarët, asnjë nuk duartroket dhe aq më tepër kur iu bë thirrje nga këngëtarja Antigona Demeti se, "hajde këndojmë të gjithë bashkë, a jeni të gjallë more!" dhe përsëri asnjë e duartrokitur. Del në skenë dhe këngëtarja e madhe, Remzije Osmani, e cila me zërin e saj tepër kumbues, këndoi dhe këndoi dhe po e njëjta gjë, pa duartrokitje. U bëri thirrje të këndonin së bashku këngën e Pavarësisë dhe përsëri e njëjta gjë, por ajo vazhdoi të këndojë derisa më në fund gati i "plasën" mushkëritë dhe atëherë pati pak të duartrokitura. Por ndryshe ndodhi kur spikerja në skenë prezantoi sponsorët e këtij koncerti dhe ata që e mundësuan, që natyrshëm ishin të politikës, dhe atëherë të gjithë brohorasin me të madhe (!)