"Gërdeci" dorëzohet në Gjykatën e Lartë

Pas një viti nga ngjarja e rëndë prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Lartën dosjen për tragjedinë e Gërdecit. Organi i akuzës dorëzoi në orët e mesditës dosjen duke i dhënë kështu fund hetimit të një prej çështjeve më të përfolura vitet e fundit. Dosja me 28 të pandehur u dorëzua pas gati një viti hetimi dhe vetëm një ditë më parë mbylljen e hetimeve e konfirmoi vetë kryeprokurorja Ina Rama. Burime nga Gjykata e lartë konfirmuan regjistrimin e dosjes ndërkohë që tashmë pritet që të zhvillohet edhe seanca e parë që do të shënojë edhe fillimin e një procesi maratonë dhe shumë të rëndësishëm për zbardhjen e plotë të tragjedisë. Mes të pandehurve figuron edhe emri i ish-ministrit Fatmir Mediu, ish-shefi të shtabit të përgjithshëm Luan Hoxha dhe ushtarakë të tjerë të ministrisë së mbrojtjes. Personat në fjalë akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim.