MB:Bashkia të mos abuzojë me pronat publike

Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë pretendimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama lidhur me procesin e transferimit të pronave publike.Sipas ministrisë së Brendshme, qeveria i ka kushtuar një rëndësi të veçantë transferimit të pronave publike tek njësitë e qeverisjes vendore në kuadër të një vullneti të qartë për ecjen përpara të procesit të decentralizimit të pushtetit vendor."Si rezultat i këmbënguljes së vazhdueshme dhe asistencës së stafit të Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike edhe për Bashkinë e Tiranës përfundoi inventarizimi i pronave, i konkretizuar në VKM nr 834 date 13.12.2006.Duke shkelur të gjitha afatet, Bashkia e Tiranës e ka sjellë pas një viti vendimin e Këshillit të Bashkisë me kërkesat për transferimin e këtyre pronave", thuhet në deklaratën e ministrisë.Sipas kësaj ministrie, vazhdimisht nga Bashkia e Tiranës kanë ardhur kërkesa të tjera për transferim me ndryshime të njëpasnjëshme, duke dëshmuar një mungesë të qartë serioziteti institucional. "Së fundi dëshirojmë t'i bëjmë të qartë Bashkisë së Tiranës se procesi i transferimit të pronave publike nuk do të mundet të shërbejë si një mundësi abuzimi me trojet publike duke ua dhënë firmave private si sheshe ndërtimi",përfundon deklarata e ministrisë së Brendshme.