"Gjakmarrja, plagë për të cilën shteti vazhdon të bëjë sehir"
Një plage e madhe për shqiptaret është bërë gjakmarrja dhe vrasjet për motive të ndryshme.
Deri kur do të vazhdojmë kështu? Shumë familje të ngujuara, fëmijë që nuk shkojnë në shkollë, njerëz të aftë për punë që nuk punojnë, etj., etj. Jemi një shtet që presim të hyjmë në NATO, BE e organizma të tjerë dhe kemi këto lloj problemesh që i përkasin primitivitetit. Në mos gabohem, shteti ka evidenca për vrasjet që janë bërë në Shqipëri, si ato me autor dhe pa autor, por si ka reaguar ndaj këtij fenomeni? Shteti, a ka ndërhyrë me forcën e duhur? Apo e ka lënë në dorë të Zotit?
Me sa di unë, në Shkodër është një lagje komplet e grupuar që ka probleme hasmërie. Çfarë ndërhyrje ka bërë shteti për këtë problem, apo duke lënë këta të ngujuar të mendojnë vetë për veten? Dhe më e keqja është kur një vrasës vetëdorëzohet dhe fiton një të tretën ulje dënimi. Pse? A mos vallë shteti duhet të ruajë dhe të shpenzojë për ata që vrasin dhe për familjaret e tjerë të mos mendojë fare? A mos vallë këto probleme duhet të zgjidhen privatisht nga njerëzit dhe shteti t'i shikojë e të bëjë sehir?