"Mora kërcënime pas një letre botuar në rubrikën tuaj"
Një letër e dërguar në gazetë dhe të gjithë fillojnë të alarmohen, madje edhe pa arsye. Ajo që më habit mua është se si ka mundësi që letrës së botuar vetëm pak ditë më parë në faqet e lexuesve në "Shekulli" i përgjigjen me kërcënime nëpër orë leksionesh jo vetëm ata që preken nga ajo letër. Të nderuar zotërinj pedagogë, është e vërtetë që universiteti ynë ka pedagogë vërtetë shumë të mirë. Por unë e kam fjalën për ata që nuk e meritojnë të jenë aty ku janë.
Nëse vërtetë ju vjen keq për kolegët tuaj, atëherë bëni mirë t'i këshilloni të shkojnë e të bëhen të denjë për auditorët. Edhe njëherë e theksoj si autore e letrës së mëparshme, se nuk kam asgjë personale me pedagogët sidomos me ata të respektuarit dhe të nderuarit, pedagoget e vërtetë të cilët i vlerësoj shumë, dhe pikërisht atyre ju drejtohem këtë herë: Mos lejoni që të përziheni me llumin. Ndoshta nuk ka shumë të tillë, por pse duhet të bëhen shumë para se të ngremë shqetësimin? Mjafton dhe një. Dhe në fund, si thotë edhe populli ynë i dashur: "Kujt i djeg, le ta mbajë!".