E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë mund tu bëjë kriza botërore, atyre që krizën e kanë bashkudhëtare të përhershme!!!?

Nga Besi BEKTESHI
Banka Botërore jep alarmin e fundit, duke treguar se tregtia botërore do të pakësohet më tepër  se këto 80-të vitet e fundit dhe se të varfrit do të kenë pasojën më të madhe, sepse për to do të mungojnë nga 200 deri në 700 miliard dollarë financime. Për këtë gjë edhe për të tjerat, pikërisht BB bën thirrje për financime për të bërë të mundur edhe kapërcimin e krizës. Nejse, në përgjithësi kriza tani ka përfshirë të gjithë të fuqishmit dhe duket qartë mungesa e madhe për të investuar, por edhe për të ndërmarrë iniciativa në këtë drejtim. Po vuajnë tani kapitalistët e lartë dhe shtetet e tilla me koncepte të dala në periferinë e iniciativës së lirë dhe më pak atë shtete të cilat kishin krijuar një model shteti që kishte në themele anën e projektit social dhe të natyrës së shtetit që kontrollonte me ligje pikërisht sistemin financiar të kapitalit të madh dhe marrëdhënieve në tregti me rregulla loje të rrepta. Në fakt të gjithë sot pranojnë se një kapitalizëm pa frerë sjell një moment të tillë zhgënjimi dhe pastaj plas krizën si element i fundit i kuptimit të fajit të madh. Liria e pakufishme e kapitalizmit që do vetëm të fitojë edhe aty ku gara vërteton qëllimin e pa mëshirshëm të fitimit edhe ku nuk ka gjë për të fituar, po sjell kizën që trashë mund të përkthehet se askush nuk do të blejë dhe shumë kush do vetëm të shesë. Kriza nisi si plasje e kredive të ndyta në Amerikë, por tani ajo po tenton të përbotshmen ku shtetet mundohen ta mbulojnë me financime atë. Kanë gabuar në sistemin kapitalist duke i hequr kontrollin e rreptë financiar tregut dhe bursave dhe kanë lejuar maskarenjtë që nga Wall Strett-i e më poshtë që të lozin me botën. Në fakt edhe Obama synimin e tij të parë e kishte pikërisht te bursa më e fuqishme e botës, sepse tani po vërtetohet se të gjithë po tranden për faqe të zezë. Nuk do askush të blejë dhe ato që kanë stoqe po mundohen të ulin çmimet e dikurshme tepër të larta në saj të konsumizmit idiot dhe aspak të arsyeshëm për të shitur edhe atë që nuk është shumë e domosdoshme, por që e kanë bërë në saj të financimeve të poshtra dhe të pa mëshirshme. I çuan çmimet në stratosferë dhe tani nuk dinë se çfarë të bëjnë edhe me ato që duhet me të vërtetë ti shesin për të vënë në rrugë ekonomitë kapitaliste të prodhimit dhe tregtisë. Nga njëra anë tju bëhet mirë, por nga ana tjetër të varfrit përsëri do ta pësojnë dhe keqas në qoftë se ekonomia e vendeve të mëdha kapitaliste nuk rivendoset në binarë kontrolli dhe financimesh për të rinisur kursin e ngritjes. Për të dhënë disa indikacione si po përballen ekonomitë kapitaliste si ato me rritje 3 për qind dhe ato me rritje 10 për qind i duhet referuar shifrave. USA ka bërë planin 700 miliardësh që ka shkuar në 800 miliard. Europa veçmas si shtete ka shkuar po thuaj në këtë shifër. Por akoma më qartë duhet parë se çfarë ka bërë Republika Popullore e Kinës, ku kanë filluar shenjat e para të krizës. Në fakt Banka Qendrore Kineze po zborson një shumë prej 585 miliardësh në dollarë për të lëvizur ekonominë e saj që ka një rritje prej 10-të përqindësh. Këtu tani nuk ka më për tu tallur me krizën sepse me Kinën, Indinë dhe Azinë, kriza po merr të gjithë globin dhe pikërisht në Azi, është edhe popullsia më e madhe. Banka Tregtare Europiane ka shënuar edhe një herë uljen e taksave megjithëse i ka pasur të ulëta deri më tani. Po ndodh një regres i madh në këtë drejtim sepse ulja e mëtejshme e taksave do të rëndonte akoma më shumë problemin. Ajo ka ulur edhe me gjysmë pike atë 1.50 përqindësh të ulët të ditës së enjte të shkuar.
Megjithatë në shtetin e vërtetë perëndimor fqinj dhe fuqi e gjashtë e botës kapitaliste dhe demokratike që është Italia, dalin të tjera masa dhe të dhëna dramatike. Në Itali janë ulur taksat e blerjeve të shtëpive (mutui) dhe shifrat janë nga 5.18 për qind në 4.78 për qind dhe ne duhet të shohim qartë se në çkushte e përqindje kemi bashkëpunuar dhe vazhdojmë me bankat tona!!! Banka e Italisë deklaron se janë rritur jashtëzakonisht dhimbjet e bankave drejt ndërmarrjeve jo financiare në Itali dhe shifrat janë 26 miliard e 768 milion euro në janar dhe 26 miliard e 032 milion euro në dhjetor. Diferenca shikohet qartë dhe është akoma më keq në shkurt dhe keq shumë, tani në fillim të marsit.
Dhimbja e bankave drejt familjeve prodhuese është 5 miliard e 621 milion në janar dhe dhjetori ka qenë 5 miliard e 556 milion. Kurse familjet konsumuese janarin e kanë pasur 9 miliard e 128 milion euro, dhe dhjetorin 9 miliard e 124 milion euro, por shifrat janë shumë tragjike për muajt më vonë. Çfarë do të thotë kjo? Ka humbje...!!!! Kjo do të thotë se tani më financat nuk investohen, nuk lëshohen dhe nuk shitet gjë e madhe, sepse nuk blihet. Jemi në krizë të përbotshme dhe megjithëse është e ngadaltë ajo po globalizohet. Ne nuk kemi parametra dhe matje normale, sepse jemi një ekonomi në zhvillim pa rregulla loje dhe pa sisteme ligjesh që kontrollojnë ekonominë dhe pikërisht financat, por edhe këtu tani shikohet se ka krizë të shitjeve në banesa në makina dhe në çdo gjë. Ka tendencë të uljeve të çmimeve dhe ka tendencë të mos investimit dhe frikës së madhe në blerje. Në fakt nuk ka një shpjegim të qartë si nga specialistët e lartë të BSH-së që ulen ca interesa dhe bënë thirrje për të mos ndalur investimet në ekonomi... Patetizma politikë më tepër, se sa lëvizje paraprake antikrizë. Bode jep momente deliri financiar, duke siguruar atë që nuk dihet se kur ka qenë ndonjëherë e siguruar dhe qeveria fle jashtë, por në fakt ka alarm brenda, se diçka do të ngjasë. Por plan antikrizë nuk ka. Sepse kemi edhe fushatë elektorale!! Deri tani po kuptojmë se çdo gjë nga kapitalizmi pa rregulla loje shqiptar, sidomos ai importues, se na ka shitur çdo gjë më shtrenjtë se në perëndim. Që nga materialet e ndërtimit dhe ato ushqimore dhe elektronike apo edhe makina. Taksat e qeverisë janë thënë se janë më të ulëta (TVSH-ja jo), por po të shohim kreditimin, ai është në saj të informalitetit një përbindësh po ta krahasosh me perëndimin. Çfarë ndodh tani edhe te ne, kur tregtia nuk lëviz? Kanë filluar të bien çmimet, sepse nuk ka fuqi blerëse dhe ky është fillimi. Çfarë vjen pas? Patjetër recesioni dhe nga shumë ekspertë thuhet se është shtatori, por nga të tjerë është thënë se durimi do të jetë deri për fushatë elektorale. Ne jemi një vend që krizën e interpretojmë si bashkudhëtare të vazhdueshme, sepse jemi kriza vetë. Një i sëmurë në fakt kur i bie sëmundja të tjerëve, nuk dallon prej tyre dhe i bie vetëm të buzëqeshë. Por kjo nuk mjafton për tu shëruar, kur të tjerët janë të sëmurë, sepse ndoshta nuk ka eksperiencën dhe mjekët e duhur për ti dalë sëmundjes ashtu si të tjerët përpiqen. Ose nuk do të shërohet nga që është mësuar të lëngojë. E bukura është se, duke pasur vëmendjen të fushata elektorale nuk duam të merremi me krizën dhe merremi me Pangon apo edhe lirim shtrëngimet politike tonat të bezdisshme deri në agoni. Kurse për krizën vazhdojmë të besojmë se ne nuk na gjen asgjë, sepse jemi mësuar të jemi në krizë. Të shtrënguar me investimet kapitale të mëdha infrastrukturore që janë qindra milionë euro, ne vazhdojmë të besojmë se kriza botërore do të na kalojë përbri pa na prekur, duke na thënë tungjatjeta. Po, por sikur ti shkojë mëndja dhe të merret seriozisht me ne, si do të shkojë halli? E ndoshta në aleancë me krizën tonë të vazhdueshme, do të krijojë vorbullën e saj e si do ti përgjigjemi pastaj? Këtë vetëm një zot e di.... Ai është i vetmi që mund të na shpëtojë... i vetmi...!!!  Se mos është hera e parë.........!!!

Last Updated on Tuesday, 10 March 2009 13:22

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›