E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, shansi që duhet fituar

 

 

Komuniteti ndërkombëtar ia ka shtrirë sërish dorën Shqipërisë, duke e ndihmuar të përforcojë ecjen e saj të mundimshme drejt integrimit Euroatlantik. Rreth 22 muaj pas nënshkrimit të MSA-në, më 12 qershor 2006, aleanca e shteteve perëndimore do t'i japë ftesën sot Shqipërisë që ajo të bëhet ndoshta pas një viti, anëtare e bllokut të vetëm politiko-ushtarak të botës, NATO. Në Shqipëri, për opinionin vendas, kjo nuk do të thotë shumë. Për njerëzit e lapsit do të thotë më shumë harxhe për të atlantizuar ushtrinë shqiptare, ndërsa për njohësit e gjeopolitikës ky është shansi tjetër që i jepet vendit më të varfër të Europës për të fituar në luftën me kohën, pasi ai është dukshëm në shumë aspekte, vendi më i prapambetur në kontinentin e vjetër.

Problemi në këtë "ftesë dasme" që do të jepet sot, nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë te ftuesi, por tek i ftuari. Është një histori e dhimbshme, e përgjakur, e mbushur me dramat më të mëdha që mund të kenë përjetuar kombet, me gulage të tmerrshme, jetë brezash që ikën në humbëtirë dhe breza që vijojnë ta quajnë veten "të humbur". Kjo histori nis 64 vite më parë, kur Shqipëria, vendi i vetëm në rajon që u çlirua me forcat e saj, iu bashkua bllokut komunist. Aleatët anglo-amerikanë u panë si armiqtë e vendit, i cili u bë njëri prej shumë partnerëve që aderuan në Traktatin e Varshavës. Dalja prej tij, jo vetëm nuk i riktheu atij aleatët e natyrshëm europianë dhe amerikanë, por e degdisi atë në Lindjen e Largme.

Fillimvitet '90 do t'i rikthenin Shqipërisë së dalë nga zgjedha komuniste, shansin për të rihyrë në atë hartë ku kishte munguar prej dekadash. Komuniteti ndërkombëtar investoi shumë për vendin më të bunkerizuar të botës, më të telendisurin dhe njëkohësisht më të papriturin. Ndërsa për katër vite më radhë bota investoi shumë që vendi të ishte më afër aspiratës euroatlantike si asnjëherë tjetër, politika e ish-presidentit Berisha e ktheu atë në një vatër të rrezikshme, shpërthimi i të cilës do të ishte jo vetëm brenda kufijve, por do të shkaktonte tronditje në gjithë rajonin e trazuar ballkanik. Ajo u tregua shumë e pabesë me dorën e shtrirë të komunitetit ndërkombëtar. Ajo shkeli për qëllime përfituese embargon ndaj Serbisë, duke furnizuar me naftë makinerinë ushtarake serbe që bënte gjenocid ndaj popullsisë civile si ato të Srebrenicës, apo Sarajevës së rrethuar. Ndërsa SHBA-të shtronin tapetin e kuq për të pritur ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, hierarkia politike në Tiranë shkalafiste ushtrinë duke e bërë atë një skalion mercenarësh, që në pranverën 1997 do të ikte nga sytë këmbët për ta lënë vendin në duart e Zotit. Edhe në këto momente të brishta për vendin, komuniteti ndërkombëtar iu gjend pranë Shqipërisë duke dërguar mbi 7000 ushtarë, në përpjekje për të rivendosur ligjin e institucioneve shtetërore.

Në vitet e mëpasme Shqipëria u mundua të patinojë fytyrën në raport me miqtë perëndimorë, por, për fat të keq, qeveritë shqiptare u treguan "nxënëse të mira" të NATO-s, më së shumti duke dërguar paqeruajtës në vatrat e nxehta të konflikteve aktuale. Politika e Tiranës, që ende udhëheq me mendësinë e pashallarëve të Perandorisë Otomane e ka reduktuar reciprocitetin e saj në raport me Aleancën Veriatlantike vetëm në detyrimin për të postuar on-air vazhdimisht kontigjente te freskëta "nizamësh", shumica e të cilëve shkojnë në Mosul apo Kabul, për ato pagesa të përditshme që në atdhe nuk do të arrinin t'i siguronin as për dhjetë vite punë.

Por politika qeveritare ka harruar apo shtyn vazhdimisht në kohë kryerjen e detyrave të shtëpisë, sepse, para se të jetë një aleancë ushtarake, NATO është një aleancë politike. Kryeministri Berisha që është sot një ndër përfaqësuesit e Shqipërisë në Bukuresht, ishte ai udhëheqës që firmosi më 12 qershor 2006, MSA-në, një kontratë morale dhe politike me BE-në në aspiratën e Shqipërisë për të qenë në të ardhmen një shtet anëtar. Por prej asaj kohe, në shumë aspekte, Shqipëria është vendi që ka bërë hapa prapa dhe deklaratat e komisionerit për Zgjerimit, Olli Rehn, shtojnë dozat e kushteve dhe të detyrimeve, që janë bërë kapicë për qeverinë shqiptare.

Opinioni vendas dhe njohësit e gjeopolitikës, kësaj skeme i druhen edhe pas 4 prillit 2008. Berisha, qeveria dhe partia e tij, që mëse një dekadë më parë i vuri flakën Shqipërisë, në 15 mars 2008, desh hodhi në erë kryeqytetin, pasi kishte mashtruar partnerët e koalicionit antiterror, duke u shitur armatime të kalbura. Ai do ta shesë këtë ftesë për një aset elektoral, duke harruar detyrimet e NATO-s, ashtu siç po bën me MSA-në. Dhe nëse do të lihet të shpërdorojë bujarinë e pashtershme të komunitetit ndërkombëtar, Kryeministri dhe pasuesit e tij do të vijojnë të shpërthejnë, me dhe pa zhurmë, gërdecë të tjerë në vendin më të paparashikueshëm të Europës, këtë vend që shansin e sotëm e humbi mëse gjashtë dekada më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›