E Diel, 1 Nëntor 2026

"Homazh e krijimtari" Në kujtim të regjisorit të animacionit Boris Ikonomi

Aktiviteti që zhvillohet në 53 vjetorin e lindjes është një nderim për veprën e këtij artisti
Boris Ikonomi, regjisori i animacionit shqiptar, do të përkujtohet nesër gjatë një aktiviteti që do të zhvillohet në mjediset e kinemasë Millenium. Në këtë aktivitet, i cili zhvillohet në 53 vjetorin e lindjes së regjisorit do të shfaqen në një orë, 7 nga 11 filmat që mbajnë emrin e tij. Aktiviteti do të organizohet nga familjarët e Ikonomit, së bashku me Shoqatën e Animacionit Shqiptar. Nga miqtë, dhe shokët e tij ai kujtohet si një njeri, i cili dha një kontribut të çmuar në animacionin shqiptar. Kolegët e tij tregojnë se koncepti i tij artistik për filmin e animuar, qëndronte larg kërkesave të kohës, jashtë kornizave moralizuese. Filmi për të si një vepër arti, duhej ndjerë. Kërkesat e vazhdueshme që, nga filmi në film të kishte ndryshim ishin si domosdoshmëri krijuese për regjisorin. Personazhet e Borisit ishin pjesë e tij, kanë marrë jetë nga shpirti dhe talenti i këtij njeriu. Regjisori Boris Ikonomi pati fatin të ishte bashkudhëtar i fillesave të gjinisë së animacionit në Shqipëri, ku menjëherë pas studimeve në Institutin e Arteve filloi punë në Studion e Animacionit. Në një kohë tepër të shpejtë, që me filmat e parë tregoi aftësitë e tij të përkryera vullnetin dhe talentin, origjinalitetin artistik e krijues. Nga viti 1979, kur filloi punë në Kinostudio, deri më 1992, krijoi 11 filma, (tre me bashkëautor), duke marrë përsipër të përçojë mesazhe të dobishme, kombëtare e universale, dhe duke shmangur tërësisht temat politike. Agroni dhe nafta, Puna është flori, Zemërimi i shkronjave, Ilira, Nevoja të ndihmon, Zëri i gjakut, zëri i tokës, Merimanga dhe brumbulli, Dy vëllezërit dhe ujku, Mëndja, mëndje, Kopshtari, Maratona e lavdisë, janë filma që mbeten akoma. Filmat e tij do të mbeten në historinë e artë të kinemasë së animacionit për vlerat që sollën me aplikimet teknike ku përherë ai ishte kërkues i të resë prej ku shumëkush mësoi. Si një grafist i lindur dhe krijues, ai e shihte filmin, jo vetëm si ndërtim mizansene por, si një vepër të mirëfillte arti. Aty duhej të ndërthureshin në mënyrë harmonike tërë elementet e një filmi. Për të ishin të rëndësishme si skenari, regjia dhe zgjidhja grafike, po ashtu dhe kolona zanore e filmit. Ai ishte kërkues në marrjen e vazhdueshme të informacionit mbi zhvillimet e animacionit në botë, teknikat dhe konceptet e reja. Filmat që mbajnë firmën e Ikonomit dhe që  kanë mbetur në kujtesën e publikut e të kinematografisë shqiptare do të dalin nga Arkivi Qendror i Filmit për tu projektuar në ekranin e madh, duke risjellë edhe njëherë fragmente nga krijimtaria e tij. Në këtë ceremoni që zhvillohet pikërisht në ditëlindjen e regjisorit do të marrin pjesë regjisorë, skenaristë, piktorë dhe të afërm te regjisorit. I lindur në Tiranë më 16 prill 1956 artisti i filmit të animuar u nda nga jeta më 15 nëntor 2008, në moshën 52 vjeçare.

Filmat që do të projektohen

Puna është flori, 1981
 Qindra vjet më parë në një fshat malor jetonte një plak punëtor dhe i mençur. Plaku punonte nga mëngjesi në darkë, ndërsa tre djemtë e tij e kalonin kohën duke u argëtuar.Vitet iknin dhe plaku e ndjente se po i afrohej vdekja. Në prag të saj ai thirri tre djemtë dhe u thotë se në arë ka fshehur një qyp me florinj: ta punoni arën bij, deri sa ta gjeni. U lodhën djemtë duke kërkuar, por më kot. Kur s'gjetën gjë, vendosën ta mbillnin tokën. Erdhi vjeshta dhe ara me pjergullat dhanë prodhime të bollshme.  Vetëm atëherë djemtë e kuptuan sekretin e plakut të mençur: është puna burimi i të gjitha të ardhurave materiale.

Ilira, 1983

 Në film tregohet për ngulmimin e një djali të vogël, Çlirimi, i cili dëshiron t'ia gjejë vete emrin motrës së tij të porsalindur. Ai zgjedh emrin e një luftëtareje ilire, Ilira.

Nevoja të ndihmon, 1984
 Filmi është realizuar në bazë të përrallës popullore me të njëjtin titull. Ai tregon për këmbënguljen e një fëmije të vogël, që me vullnet arrin të kryejë një punë të vështirë që i ka ngarkuar gjyshi.

 Zëri i gjakut, zëri i tokës, 1985

Balada e rinjohjes së vëllait me motrën është në qendër të këtij filmi vizatimor, ngjarja e të cilit zhvillohet në periudhën e pushtimit osman. Gjatë një sulmi në një fshat të Himarës një jeniçer turk merr me vete një vajzë të re dhe të bukur. Gjatë ikjes, vajza i shpëton jeniçerit dhe ngjitet në një majë mali për tu hedhur, por jeniçeri e kap dhe në këtë moment sheh një medaljon të vajzës i cili është i njëjtë me atë që ai mban në qafë. Pas pyetjeve që i bën vashës ai kupton se ajo është motra e tij dhe pasi bashkohet me bashkëfshatarët fillon luftën kundër turqve që kishin vrarë prindërit e tij.

 Merimanga dhe Brumbulli, 1985
Brumbulli dembel pas zgjimit të dimrit fillon të kërkojë ushqim. Merimanga dinake me zgjuarsi bën që brumbulli të pranojë ftesën e saj për darkë. Kështu, i ziu brumbull pasi ha dhe pi në shtëpinë e merimangës gjendet i mbërthyer në rrjetën e dendur të saj. Janë shokët e brumbullit që e shpëtojnë nga rrjeta e tmerrshme duke bërë që ajo të shembet bashkë me shtëpinë e merimangës.

 Dy vëllezër dhe ujku, 1986
 Barinjtë e një stani vrasin ujkun që desh ju hëngri një dele. Ata festojnë bashkë me fshatarët e tjerë vrasjen e ujkut duke pjekur delet në hell. Nuk kalon shumë dhe barinjtë kuptojnë se ata tashmë i kanë shfarosur vetë delet e tyre dhe vatha ka mbetur e shkretë, por tashmë është vonë të korrigjojnë gabimin.

Mëndje, mëndje, 1988

Një fshatar së bashku me  djalin e tij të vogël pasi mbarojnë pazarin nisen për në qytet. Djali ka hipur mbi gomar dhe i ati e shtyn nga pas. Nuk shkon shumë dhe fshatari dëgjon një burrë që tallet me të duke e kritikuar që ka hipur djalin ne gomar dhe vetë ecën në këmbë. Kështu zbret djalin dhe hipën vetë. Por nuk ecën shumë dhe tre burra të ulur në një kafene fillojnë ta tallin që ka hipur vetë dhe djalin e vogël e ka lënë në këmbë. Kështu merr dhe dalin mbi gomar dhe vazhdojnë të udhëtojnë. Një grup grash kur i shohin fillojnë të tallen duke thënë se fshatari do të ngordhë gomarin duke e ngarkuar  kaq shumë. I ziu fshatar nuk di çfarë të bëjë. Mendon ta marrë gomarin në kurriz, por, edhe ashtu njerëzit do të flasin, prandaj merr ca fletë dhe mbyll veshët që të mos dëgjojë fjalët e botës. Është gomari tani që nuk do të lëvizë por djali i vogël i ve dhe atij ca fletë në vesh e të tre të lumtur që nuk dëgjojnë me fjalët e botës vazhdojnë rrugën duke vepruar si ju thotë mendja e tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›