"Boll! Kështu nuk shtyhet më!", një komedi për fushatën elektorale
Trupa e teatrit "Aleksandër Moisiu" ka korrur sukses me premierën e komedisë "Boll! Kështu nuk shtyhet më!", shkruar nga nobelisti italian Dario Fo, me regji të Driada Dervishit. Aktorët Eftiola Laçka dhe Ervin Doko në rolet kryesore, Eralda Çaushi, Marvin dhe Xhelal Tafaj, Hysen Bashhysa, Sanie Hoti dhe Muharrem Hoxha, ja dolën të materializojnë me sukses materialin letrar, duke fituar duartrokitjet e publikut jo vetëm për mesazhin e pjesës, por edhe lojën e këndshme aktoriale. Artdashësit durrsakë e mirëpritën shfaqjen e re, e cila sjell me gjuhën e ironisë dhe sarkazmës disa nga temat sociale më të prekshme të shoqërisë shqiptare.
Një komedi e shkruar nga autori italian Dario Fo, e cila është vënë nga mbi 600 teatro e kompani teatrale në të gjithë botën. Edhe pse është shkruar 33 vjet më parë, edhe pse është e ambientuar në Itali ajo është tepër aktuale dhe duket sikur është shkruar posaçërisht për vendin tonë. Komedia flet për një aktualitet më të vërtetë se kurrë. Loja e aktorëve, mizanskenat e shumta në sallë bënë që dhe publikun të ndjehet i përfshire në këtë histori. Një tjetër element regjisorial është dhe vendosja e pllakateve të shumta në sallë ku të krijohet ideja e një mitingu, por që këtë herë nuk organizohet nga asnjë parti politike apo shoqatë joqeveritare, por nga një grup i vogël artistësh që me gjithë vështirësitë që hasin për të qenë apo jo, marrin guximin për të dhënë një mesazh. Ethet elektorale, kriza ekonomike, qytetare të pakënaqur nga sistemi politik, ishin në qendër të shfaqjes me të re trupës së teatrit Aleksandër Mosiu të Durrësit. Kjo komedi është një tekst që trajton situatën politike sociale, në formën e satirës së groteskut. Regjisorja Dervishi ngjiti në skenë një komedi, e cila do të mbetet në kujtesën e publikut për nga realizimi skenik, përmbajtja dhe aktrimi. Komedia e shkruar që në vitin 1976 nga aktori dhe komediografi i shquar italian Dario Fo "Boll! Kështu nuk shtyhet më!" do të shfaqet sot dhe nesër në skenën e teatrit Aleksandër Moisiu. Dario Fo lindi më 24 Mars 1926 në San Giano Vareze, një qytet peshkatarësh në veri të Milanos Itali. Aktor brilant, pantomimist, regjisor, autor, aktor, skenograf , Fo qe prej 40 vjetësh është një nga protagonistet më aktivë dhe kurajozë të teatrit italian dhe atij botëror. Eksperiencat e para te Fosë me teatrin filluan me skica satirike për kabare dhe teatro të vegjël. Fo ka shkruar rreth 70 pjesë, disa prej tyre me bashkëautorësi Franka Ramën, bashkëshortja e tij që prej 55 vjetësh. Në vitin 1997 ai merr çmimin Nobel .