E Diel, 1 Nëntor 2026

"Letër nga populli ", Nga njëra zyrë në tjetrën, në kërkim të drejtësisë , Kush e bën, kush e pëson

Çlirim MARJANAKU
Kam kohë që kërkoj të drejtën time, nëpër zyrat e pushtetit vendor e ato të e Përmbarimit dhe nuk po e gjej dot. Kam punuar nënkryetar në Njësinë Bashkiake nr. 7 të kryeqytetit që nga 1 tetori i vitit 2004 deri më 15 prill 2007, kur më larguan padrejtësisht nga puna. Për largimin tim të pa asnjë shkak, iu drejtova Gjykatës së Faktit, e cila mori vendim dhe e detyroi palën e paditur të më shpërblejë me 6 muaj pagë.

Meqë pala e paditur nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës së Faktit, çështja e largimit tim padrejtësisht nga puna kaloi për shqyrtim më Gjykatën e Apelit, e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës të Faktit. Por edhe këtë vendim kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 7, zoti Pandeli Sara nuk e pranoi, kështu që çështja ime kaloi në Gjykatën e Lartë. Edhe kjo, si i shqyrtoi dokumentet, la në fuqi vendimin e Gjykatës të Faktit e të Apelit. Pas kësaj iu drejtova kryesisë të njësisë bashkiake të bënte likuidimin vullnetarisht, sipas vendime të tri gjykatave. Me që ai nuk pranoi, iu drejtova Gjykatës të Rrethit Gjyqësor, e cila lëshoi "urdhër ekzekutiv". Në bazë të tij iu drejtova zyrës së Përmbarimit. Por këtu filloi maratona e sorollatjeve në mos zgjidhjen e problemit. Përmbarimi premtonte se do të bënte likuidimin tim me shumën e lekëve të caktuara nga gjykata, por vendimin e tij e kundërshtoi kryetari i Njësisë Bashkiake, Pandeli Sara, duke bërë ankesë në Gjykatën së Lartë, kur kjo e fundit kishte i rrëzoi të gjitha ankesat e tyre lënë në fuqi vendimin e Faktit e të Apelit?! Sorollatjet pa punë e pa "pagesë" nuk kanë të sosur.

Zyra e financës nuk e zbaton vendimin e Përmbarimit për sekuestrim mbi pagën e zotit Sara (si duket e gjora shefe e financës ka frikë mos e pësojë edhe ajo si unë, ta largojnë nga puna) Përmbaruesit Gjyqësor i ka ngelur sharra në gozhdë dhe i drejtohet degës së bankës "Credis" të Tiranës, për të bërë sekuestro mbi rrogën e zotit Sara, atje ku ai merr pagën. Por bukuria është, se Luiza Halilaj e kësaj banke përgjigjet me shkresë, të firmosur e vulosur, se "Pandeli Velo Sara! është klient me gjendje debitore zero". Kështu thotë më shkresën e saj zonja Luiza, por të gjithë e dinë, se kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 7 merr rregullisht pagën e tij dy herë në muaj. Pas kësaj gënjeshtre me bisht, Përmbarimi i drejtohet Drejtorisë të Buxhetit në Bashkisë e Tiranës. Por edhe kjo nuk e nxori qimen nga qulli. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të njësisë Nr. 7, kur u shtrua planifikimi i buxhetit të 2008- tës, këshilltarët i kanë kërkuar kryetari të planifikojë fonde në zërin "Detyrime për te tretë", sepse Çlirim Marjanaku ka fituar gjyqin e kërkon paratë për largimin padrejtësisht nga puna. Por zoti Sara, që e ka vënë vetën mbi ligjet e drejtësinë, vazhdon ta pengojë me dashje vendimin e gjykatës të formës së prerë të mos zbatohet, duke më detyruar, që me vendim të gjykatës të formës së prerë në duar të sorollatem, zyrë më zyrë, jo me orë, ditë, javë e muaj, por me vite. Në një kohë, që kryeministri, kur erdhi në pushtet, premtoi sa u lodh, se do ti zgjidhte të gjitha vendimet e formës së prerë të gjykatës, që kanë zënë pluhur në dosjet e sirtarët e Përmbarimit. Kur edhe presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e quan skandaloze moszbatimin e vendimeve të gjykatës. Ndërsa Ministria e Drejtësisë, që ka një drejtori të veçantë për këtë punë, nuk e di nëse ka marrë ndonjëherë mundimin të shohë se ç bëhet me vendimet e gjykatave në Përmbarim dhe a i bije ndërmend për ne, që jemi larguar nga puna padrejtësisht e sorollatemi me barkun bosh nga njëra zyrë në tjetrën, pa e marrë dot atë që na takon me ligj e të vendosur nga gjykata. Tani të ndodhur me vështirësi ekonomike nuk dimë ku ta kërkojmë të drejtën tonë?! Këto sorollatje vazhdojnë, sepse nuk paguajnë shkaktarët, por shteti, madje edhe 7 për qind, mbi shumën, që ka vendosur gjykata, që paguhet taks për  Përmbarimin, megjithëse është përgjegjësi e pastër e personit që pengon likuidimin dhe rrit artificialisht detyrimin, e paguan shteti. Dhe as Kontrolli i Lartë i Shtetit e as organet e tjera, nuk ia venë në ngarkim shkaktarit, kështu që ai nuk ndjen përgjegjësi dhe njerëzit vazhdojnë të sorollaten.                    
                             

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›