"Lufta e Mashkullorës" mes ferrave dhe plehrave
Gjirokastër - Dita e djeshme ka shënuar plot një shekull nga Lufta e Mashkullorës, krerët historikë të çetës së saj, Çerçiz e Bajo Topulli prehen në varre pa emra dhe pa asnjë shenjë që mund ta tregojë këtë fakt. Ceremoni janë zhvilluar në kuadër të kësaj dite, ndërsa "Kodra e Rilindasve", vendi ku për gjashtë dekada prehen vëllezërit Topulli dhe rilindas të tjerë të shquar, si Andon Zako Çajupi, mësuesi i shquar Koto Hoxhi e patrioti Pandeli Sotiri, është shurdhuar nga harresa.
"Lavdi kujtimit të rilindasve që me penën dhe pushkën e tyre ngritën popullin në luftën për liri". Këto janë fjalët e shkruara në obeliskun kushtuar pesë prej figurave të shquara të kombit në atë që është emërtuar "Kodra e rilindasve" në qytetin e Gjirokastrës. Ndërsa sot duket se këtij vendi vetëm emri i ka mbetur. Një person i rastësishëm apo një vizitor në qytetin prej guri nuk mund ta marrë kurrë me mend se pikërisht në këtë vend, pranë obeliskut prehen eshtrat e pesë patriotëve vendas. Në asnjërin prej pesë varreve nuk ekziston qoftë edhe një shkronjë për të treguar emrin e personit dhe si të mos mjaftonte kjo të gjitha pllakat kanë degraduar, vendi është rrethuar nga mbeturinat, barërat e ferrat. Askush nuk mund të përcaktojë me saktësi se ku prehet njëri apo tjetri.
Banorët që pyesim na tregojnë se u bënë vite që vazhdon kjo gjendje dhe askush s'do t'ia dijë e jo më të vërë dorë. Ata thonë se dikur ka dashur t'ia dijë edhe për "Kodrën e rilindasve", mirëmbahej dhe vizitorët që vinin në Gjirokastër nuk largoheshin pa parë edhe vendin ku ndodhen rilindasit.