E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i regjisores çeke për filmin e saj në Tiranë

E përditshmja çeke "MF Dnes" një gazetat më të rëndësishme çeke, në artikullin e datës 5 Mars, me titull "Bara Shqepanova në kinema përlot shqiptarët" jep një informacion të plotë për premierën e filmit të ri shqiptaro-çek "Trishtimi i Zonjës Shnajder". Ndër të tjera shkruhet:
"...Kryeqyteti i Shqipërisë ka vetëm dy kinema. Dhe në njërën prej tyre, Bara Shqepanova një fundjavë përjetoi ca ndjenja, të cilat ajo me humor i përshkruan: "...M'u duk vetja si Mia Faroë në Festivalin e Karlovi Varit..." (shën.red: festival filmi)
Në Tiranë kishte premierën festive filmi shqiptaro-çek "Trishtimi i Zonjës Shnajder", në të cilin Bara Shqepanova luan një ndër rolet kryesore përbri Anja Geisleroves apo Mikele Plaçidos, heroit të serialit "Oktapodi".
"..Për shkak se në Shqipëri prodhohen shumë pak filma, ishte një ditë e madhe feste kjo premierë. Në kinema ishte ulur Presidenti, anëtarë të qeverisë, artistë dhe të gjithë në skenat finale të heroinës time zemërshqyer qanin... Por për pak qava edhe unë. Do ishte e dyta herë, sepse herën e parë e bëra kur pashë filmin në Pragë. Ndaj shikimin më mirë e hidhja në tavan, që ta mbaja veten...", - rrëfen aktorja për shtypin çek.
Filmi, të cilin e realizoi ish-studenti i Fakultetit të Filmit dhe ish-Ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Pirro Milkani, buron nga kujtimet e viteve '60-të, kur me kamerën dhe bashkëstudentët e tij njohu fshatin çek - por edhe dashurinë, tek e cila heroi kthehet pas shumë vitesh. Në kinematë çeke ky film do të vijë në 29 Maj.
"Menjëherë pas premierës, filmi shfaqet pesë herë në ditë dhe salla është plot me njerëz", - tregon Shqepanova, të cilën për zakonet e vendit e ka sqaruar ambasadorja çeke, Marketa Fialkova. "Jetojnë aty pranë njëri-tjetrit njerëz me besime të ndryshme fetare, dhe pa probleme - vetëm ateizmi është për ta i pakuptimtë", shpjegon aktorja.
Zbuloi gjithashtu se veshjet luksoze në Tiranë, jo vetëm askujt nuk i prishin punë, por janë të natyrshme në trupin e yjeve. "Tani jam kurioze, se si "Trishtimi..." do t'u ngjisë çekëve. Vërtet është një film i veçantë", mendon Shqepanova.
Përktheu Piro Milkani (Në internet: www.mf.dnes.cz)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›