E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ngushëllimet e krerëve politikë, më duken spektaklet e radhës"

Jo shumë larg tragjedisë së Gërdecit, në datën 8 mars, zonja Topalli zhvilloi së bashku me gratë më të shquara të vendit një "party" të paparë në ambientet e Parlamentit, në prani të televizioneve dhe medias. Ajo po festonte e harlisur me gratë më të shquara të këtij vendi. Të gjitha, njëra më e bukur së tjetra. Një pjesë prej tyre ka një emër të respektuar në shoqëri andaj kam respekt. Edhe pse lista e këtyre grave të shquara po bëhet e majme, po fryhet shumë besoj në shprehjen e popullit "hiqi ujin e tepërt". Disa prej tyre përfaqësonin biznesin e dashnorëve. Por unë njoh shumë gra të tjera që nuk veshin kostume firmato, që kanë burra punëtorë e të zotë, që i mungonin listës së Zhozit. Ato janë shumë më të respektuara dhe të shquara së një pjesë e asaj sfilate politike e përgatitur nga protokolli i radhës. Por pa kaluar as edhe një javë nga kjo maskaradë protokollare, zonjën Topalli e pashë sërish në televizion, ditën e tragjedisë kombëtare, shtrirë në krevat, duke dhënë gjak.
Bah, ulërita dhe vura duart në kokë…si nuk e kuptoi asnjëherë kjo grua afashinante dhe tërë sharm e sqimë se ku e ka vendin? Pse i ndjek kaq shumë kamerat e televizioneve dhe gazetarët ajo? Pasi më ranë nervat, thashë: "Ky është spektakli i radhës" e i organizuar mirë e me detaje protokollare. Si ka mundësi, që kjo grua shkon atje ku gjenden kamerat?... Kanë kaluar pak orë nga tragjedia e Gërdecit dhe e kam të drejtën të pyes publikisht zonjën Topalli?: Kur njoftuat dhe morët rrugën për të shkuar në shtratin e dhurimit të gjakut, meqë e kishit gati një listë protokolli, pse nuk i ftuat dhe ato gratë e shquara të festave të tua mondane?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›