E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kur e kam unë radhën? Po ti?"

 
Ky shtet duhet mohuar! Sepse asgjë që ai trupëzon, nuk më përket mua. Tek asnjë nismë, asnjë veprim apo reagim, tek asnjë person që e përfaqëson këtë shtet, unë nuk ndihem i përfaqësuar. Unë e mohoj shtetin shqiptar!
Unë paguaj taksat, respektoj rregullat e qarkullimit, bëj çdo gjë që i kërkon ligji një qytetari shqiptar dhe të gjitha këto, pse? Që një ditë të bukur të shpërthej? Që ky palo shtet, që është turp edhe ta quash shtet, të më vrasë? Që të më kërkojë të regjistrohem e të paguaj sigurimet, kur vetë ndërmarrjet që punojnë drejtpërdrejt për të, me biznese miliardash, të mos kenë të regjistruar qoftë, dhe të paktën për turp, për sy, edhe një punëtor të vetëm? Për këtë shtet që fshihet prapa gishtit? Që nuk pranon asnjë përgjegjësi dhe kërkon të marrë çdo meritë? Që ka paturpësinë të paraqitet para meje në formën e policit, e tatimorit, e doganierit, e rojës së kufirit, duke tundur në dorë një copë letër, që quhet ligj, e që ka vlerë vetëm në letër e kurrë në realitet?
Ç'më duhet mua ky shtet? Ç'na duhet neve ky shtet që na vret?
Unë i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të mohojnë shtetin e tyre, të dorëzojnë pasaportat, të mos paguajnë asnjë qindarkë, deri në ditën kur kjo qeveri të zhbëhet. Deri kur të mirën publike ta përfaqësojnë njerëz të denjë. Këtu duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, të lihet kjo rrënojë prej 28 mijë kilometrash katrorë nën administrimin e ndonjë shteti tjetër që ekziston, derisa ne të jemi në gjendje të prodhojmë njerëz të denjë për të mbajtur mbi shpinë edhe përgjegjësinë e drejtimit dhe jo vetëm privilegjet e tij! Pavarësi e kushtëzuar për Kosovën? Jo! Jo vetëm për Kosovën, por edhe, dhe kryesisht për Shqipërinë.
Të na vijë turp (mua më vjen sinqerisht turp!) që nuk ditëm të bëjmë edhe gjënë më minimale që i takon një shteti në vitin 2008, domethënë të ruajë integritetin fizik të qytetarëve të tij!
Dhe deri sa kjo të ndodhë (është e qartë që nuk do të ndodhë), unë pres radhën time të vdekjes. Kësaj radhe mund të vijë nga ndonjë tërmet, nga ndonjë punonjës policie që më hyn në sallon me autoveturë sepse po ecën me 120 km/h në mes të Tiranës, nga helmimi i mishit sepse i pakontrolluar nga organet që duhet ta kontrollojnë, nga indiferenca apo pakujdesia e ndonjë mjeku që nuk e rruan për asnjeri, apo kush e di se nga çfarë?
Kur e kam unë radhën? Po ti?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›