E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elegji për Nolin - ose buzëqeshja e vrerosur e IMZOTIT

Dy të diela më parë, në Boston, për të gjithë shqiptarët (dhe veçanërisht për ata të besimit të krishterë) kishte një festë, një kremtim, një përshpirtje me emrin e të nderuarit Imzot Nolit. 100-vjetori i krijimit të Katedrales së Shën Gjergjit nga shqiptari Theofan Stilian Noli.
Dëshiroja të shkoja dhe me telefon fillova të interesohesha. Dhe zbulova se Janullatosi dora vete do të jetë i pranishëm. U zemërova. E lashë fare. Ç'punë ka Janullatosi me Nolin? Ç'punë kam unë me Janullatosin? Pse duhet të ha drekë me të?
Unë kam punë me Nolin dhe për të mendova të shkoj fillimisht. Ta nderoj.
T'i çmoj mesazhin që na ka lënë. Atë të pastërtin shqiptar. Noli vetë do të pranonte që në përshpirtjen e tij të ishte Janullatosi? Do t'ia jepte dorën vallë sikur të ishte gjallë?
Sipas fjalëve thuhet që ceremonia do të fillojë me një meshë në këtë Katedrale, e më pas do të vazhdojë me një drekë në lokalin "PIER 4" i njohur si restoranti i patriotit të shquar Antony Athanas. Them sipas fjalëve sepse organizatorët, tipike si në Shqipëri, kanë mbajtur të fshehtë çdo detaj mbi këtë aktivitet.
S'kishte një program, një axhendë të ditës për të madhin NOLI dhe krijesën e tij, Katedralen e Shën Gjergjit. Konspiracion i madh, për shumën e vogël të $65 që kërkonin për të ngrënë një drekë. Përpos lekëve, që si besimtar do t'i hidhja në kishë, kur shporta e lekëve do të vinte vërdallë nëpër bamirës gjatë meshës.
Ky është një reagim që më tepër sesa fetar është i pastër, shqiptar. Pyeta prapë. Më siguruan se Janullatosi do të jetë i pranishëm. Më thanë se shumë vetë kanë anuluar prenotimet në lokalin e të mirënjohurit Antoni Athanas.
Nuk dua të jem pjesë e asnjë grupi, por mesa duket qënia e Janullatosit në këto kremtime e paska krijuar tashmë përçarjen.
Megjithatë atë të diel në Boston, simboli fetar i festës u zhbë, për t'i lënë vend Nolit Shqiptar, që Janullatosi nuk e pranon si figurë të Kishës Autoqefale Shqiptare. Madje dhe portretin e tij e ka hequr nga muret. Ndoshta ka të drejtë. Sepse Noli më shume se sa Imzot, ishte udhëheqës, politikan, shkrimtar, opinionist, krijues etj., etj. Më vjen shumëfish keq, që si shqiptar të pranoj ngjitjen me dhunë të dy portreteve të kundërta deri në përbuzje ndaj njëra-tjetrës.
Unë do të shkoj te varri i Imzotit dhe do t'i vendos një tufë me lule në emër të gjithë bashkëkombësve. Fytyrën e tij e kam parasysh tashmë, me vetulla të ngrysura, një rrudhë më shumë dhe një nënqeshje të vrerosur në cep të buzëve të lodhura. Vështrimi i syve të tij, pyet:"Edhe këtë ma bëtë???".
Çirrem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall' as i varrosur,
Pres një shenj' e pres një dritë,
Pres me vjet' e pres me ditë,
Se ç'u tera, së ç' u-mpaka,
Se ç' u-çora, së ç' u-mplaka....
Asgjë më shume se ky varg i madhërishëm i Imzot Nolit nuk do ta përshkruante më mirë gjendjen shpirtërore të tij, nëse do të ishte gjallë e do të merrte pjesë në 100-vjetorin e themelimit të Katedrales së Shën Gjergjit në Boston. Shenja që fuqishëm e kërkon Imzoti po vjen, veçse në krahun e kundërt...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›