Shkundet letargjia e Akademisë
Nga sot nis në skenat e Akademisë së Arteve Stina Koncertore e Pranverës. Deri në fund të qershorit, 400 studentë e pedagogë interpretojnë vepra të autorëve shqiptarë e botërorePas letargjisë, me ëndrra të këqija madje, Akademia e Arteve tenton të zgjohet. Nga dita e sotshme nis në Akademi Stina e Koncerteve të Pranverës. Janë 400 studentë e pedagogë që angazhohen për 149 vepra të kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë. "Pranvera" që zgjat deri në fund të qershorit është konceptuar në formën e koncerteve solistike, me muzikë dhome, apo me orkestrën e korin e Fakultetit të Muzikës. Nuk kanë për të munguar vepra me përmasa si opera "Dasma e Figaros. Krahas kompozitorëve të mëdhenj si Mozart, Puccini, Rossini, Brahms, Rachmaninov, Debussy, Verdi, Sibelius, Bellini, Vivaldi, Shostakoviç, etj, janë përfshirë në program autorë shqiptarë si Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Lola Gjoka, Pjetër Gaci, Limoz Dizdari, apo Ramadan Sokoli. Një nga koncertet më të rëndësishme të stinës konsiderohet ai me muzikën e kompozitorit Lec Kurti, i cili edhe pse një nga pararendësit e muzikës serioze shqiptare, mbetet i pazbuluar. Në muajin maj organizohet një koncert-konferencë, gjatë së cilës prezantohet edhe një volum me vepra të zgjedhura të Kurtit. Janë romanca, scherzo, sonata e arie, të kompozuara kryesisht në Venecia gjatë viteve 1909-1915. Mes të tjerash edhe hymni kombëtar me tekst të krijuar nga Gjergj Fishta. Interpretojnë Ansambli "ASMUS", Suela Piciri, Arben Llozi, Pjetër Guralumi, Mariana Leka e Merita Rexha. Sipas dekanit të Fakultetit të Muzikës, Sokol Shupo kjo stinë koncertore vjen si një rizgjim i Fakultetit të Muzikës. "E dija se kjo gjë do të ndodhte vetëm atëherë kur zelli, kërshëria dhe përkushtimi do të mblidheshin tok e do të lëshoheshin në një garë të paqme, të hapur e pa të keq", - thotë Shupo. Përballjen me publikun ai e konsideron materializim të dijes që artistët e rinj marrin në shkollë, por ky rast vlen për të zgjuar jetën kulturore të kryeqytetit. I rëndësishëm është edhe fakti që dy herë në javë publiku mund të ndjekë koncerte ku studentët interpretojnë në krah të pedagogëve, por mbi të gjitha është rizgjimi i shpirtit të konkurrencës dhe krahasimit. Pa dashur të duket patetik Shupo thotë se po ngjan ajo që duhet të ndodhte me kohë. Që në krye të dalin të palodhurit, të eturit, të papërtuarit, njëlloj si në garat olimpike. Organizatorët e konsiderojnë provë publike, sa edhe promovim të një realiteti të ri muzikor, të mbështetur në një traditë mjaft të mirë interpretative.U bënë vite tashmë që Akademia e Arteve ka rënë në apati. Edhe pse një qendër studentore ku pretendohet të formohen artistë të rinj në shumë fusha të artit, si ato pamore, dramatike, muzikore, koreografike ku niveli i adrenalinës duhet të jetë në maksimum, në pjesën më të madhe të vitit skenat heshtin. Edhe kur në to zhvillohen aktivitete, janë më së shumti nisma private që shfrytëzojnë sallat e shfaqjeve. Nëse janë aktivitete të vetë Akademisë, ato janë sporadike dhe zhvillohen veç me dëshirën e mirë të njërit apo tjetrit pedagog. Gjatë vitit që shkoi disa syresh tentuan që provimet e studentëve, qofshin këto të radhës, apo diploma t'i bënin publike. U bë aktive Galeria e Arteve Pamore FAP, u zhvilluan disa sfilata të studenteve të tekstilit brenda dhe jashtë ambjenteve të akademisë, në pozicionin e pedagogut, Shupo përballi studentët dhe krijimet e tyre muzikore me një publik të kufizuar, ndërsa studentët e koreografisë, mbi dy tema letrare dhanë një provim të hapur, në skenë. Por të gjitha këto si nisma të vetë pedagogëve të lëndës. Stina Koncertore e Pranverës tenton të dalë nga sporadikja, duke ofruar një stinë që zgjat deri në fund të vitit akademik, me data dhe programe të mirëpërcaktuara. Stina nis sot në orën 19.00 në sallën e madhe të A.A me vepra të Mascagnit, Chopin, Mendelsohn e Prokofiev. Interpretojnë orkestra sinfonike, nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli, pianistet Rudina Ciko e Mimoza Kongo.