E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Milan Junior Camp" prezantohet në Tiranë

 

U zyrtarizua dje projekti i klubit të famshëm italian për të rinjtë shqiptarë. I pranishëm edhe Daniele Masaro

 

Tashmë u bë realitet. Milani, klubi italian më i famshëm në botë për sa u përket trofeve të fituara, ka zyrtarizuar dje në Tiranë "Milan Junior Camp" projektin ambicioz për të rinjtë shqiptarë. Në një ceremoni mbresëlënëse, të zhvilluar në ambientet e hotelit "Sheraton", përfaqësuesit e klubit kuqezi, me në krye ish-futbollistin Daniele Masaro, të shoqëruar edhe nga presidenti i kompanisë shqiptare "Taçi Oil", Rezart Taçi, i cili është partneri kryesor në këtë iniciativë, kanë bërë të ditur detajet e këtij projekti, që do të nisë më 30 qershor. Të pranishmit, fillimisht janë emocionuar me pamjet e ndeshjeve të paharrueshme të Milanit në vitet e fundit. Ceremoninë e hapi ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba D'elia, i cili vuri në dukje lidhjet miqësore që kanë dy popujt.

Më pas, përgjegjësja e projektit "Milan Junior Camp", Françeska Pietra, përcolli edhe urimet nga presidenti Silvio Berluskoni dhe administratori i Milanit, Adriano Galiani, ndërkohë që theksoi se klubi italian beson shumë te potenciali futbollistik i Shqipërisë. Ndërkohë, Rezart Taçi, partneri shqiptar, foli i emocionuar për këtë projekt, duke shpresuar që në një të ardhme do të zhvillohet një ndeshje miqësore midis Milanit dhe kombëtares shqiptare.

"Kur kam qenë disa muaj më parë në Milano, pata nderin të takoja presidentin Silvio Berluskoni dhe me këtë rast i paraqita një kërkesë, e cila ishte dëshirë e hershme për mua, pra që skuadra e Milanit të luante një ndeshje miqësore në Tiranë. I sigurova atij se realizimi i një ndeshjeje të tillë do të ishte një moment i emocioneve të mëdha për shqiptarët. Tashmë unë ndihem i nderuar që mbështesim Milanin në këtë projekt për të rinjtë. Dëshiroj të bëj me dije se kompania "Taçi Oil" do të vazhdojë bashkëpunimin në këtë drejtim, duke qenë kështu sponsori zyrtar dhe partneri kryesor i "Milan Junior Camp" në Shqipëri edhe për tri vitet e ardhshme. Synimi ynë është ta bëjmë Milanin një realitet të prekshëm për Shqipërinë."

Në fjalën e tij, Daniele Masaro, referuar projektit të sipërpërmendur, u shpreh: "Fillimisht dua të falënderoj të gjithë partnerët tanë dhe ambasadorin e Italisë në Shqipëri për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë. Partneri ynë kryesor, zoti Rezart Taçi, na ka thënë se është një projekt i sigurt për tri vitet e ardhshme. Kjo na bën që të kemi shpresa për ta nisur mbarë vitin e parë, për të vazhduar dhe për t'u kthyer sërish në Shqipëri, me nisma të reja për të rinjtë. Mbi të gjitha, këta djelmosha do të kenë mundësinë të përjetojnë një javë me të vërtetë shumë të veçantë, të cilën për fat të mirë kemi arritur ta sjellim edhe këtu në Shqipëri, ku futbolli është mjaft i ndjekur, sidomos ai italian dhe në veçanti Milani, që ndodhet në zemrat e shumë tifozëve. E rëndësishme është që fëmijët të zbaviten. Nuk jemi këtu domosdoshmërisht për të zbuluar talente apo kampionë. Natyrisht, nëse ndonjë njëri prej tyre do të ketë cilësi të larta, ne do ta ndjekim me vëmendje në të ardhmen. Pse jo, këta fëmijë të luajnë në të nesërmen me ekipet e Milanit. 5 prej tyre do t'i përzgjedhim, por jo vetëm për kualitetin e tyre, sepse në radhë të parë ata duhet të jenë të kulturuar."

Përveç kompanisë "Taçi Oil", janë edhe disa partnerë të tjerë, të cilët mbështesin këtë nismë. Midis tyre është klubi "Dinamo", që nëpërmjet presidentit Besnik Sulaj, tregoi gatishmëri për të bashkëpunuar me kampionët e Europës. Ai u shpreh krenar që klubi i madh kuqezi pati besim për të pasur partner një klub shqiptar, si Dinamo.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›