"Vlora, ose shteti i sotëm kundër djepit të shtetit"
Nuk ka tjetër vend në botë, ku si me magji të pleksen kaq bukur të gjithë elementët gjeografikë në një sipërfaqe që ç'të sheh syri e prek me dorë në më pak se një gjysëm ore, si në Vlorë. Lumi i Vjosës, i pastër e i lundrueshëm për disa kilometra deri në grykëderdhje, masivi pyjor me pisha përgjatë bregut e pak më tutje rëra e pastër e ujërat blu, bashkimi i Adriatikut me Jonin, me karakteristikat e veçanta të tyre, laguna e Nartës dhe ishulli në lagunë me Manastirin shumëshekullor, kodrat e veshura me vreshta e ullinj, ishulli i Sazanit e gadishulli i Karaburunit me ngushticën midis tyre, parku fantastik i Llogorasë, malet e kodrat që zbresin deri në Vlorë, së bashku me gjirin e bukur, përbëjnë një amfiteatër gjigant, ku realisht krijohet mundësia të luhen të gjitha sportet e ujit, nënujit dhe të ajrit, ku për të dyja këto lloje sportesh janë të gjitha kushtet ideale të organizimit në të ardhmen e kampionateve Europiane e Botërore, të aviacionit akrobatik e garave të shpejtësisë me skafe.
Nuk do të mbetej pas edhe peshkimi amator e sportiv, si nga bregu, ashtu edhe nga mjetet lundruese. Portet e jahteve e të skafeve dhe aeroportet e vegjël për avion turistik e sportiv do të gjallëronin jetën e do ta bënin Vlorën shumë tërheqëse për shqiptarët dhe të huajt. Nuk do të mbetej pas edhe agro-turizmi tashmë në hapat e para në Shqipëri, por që Vlora me rrethinat e saj ofron mjedise ideale. Këto e shumë e shumë mrekullira të tjera i ofron vetëm Vlora në Shqipëri dhe ajo nuk është vetëm e vlonjateve, por e të gjithë shqiptarëve, dhe vlerat e saj historike e turistike s'kanë të krahasuar me "vlerat" e veprave me bazë naftën. Këto dhe shumë mrekullira kanë pasur e kanë në mendje e në zemër djemtë e Vlorës, të prangosur e të dënuar në ditën që shteti festoi në mënyrën e vet ftesën për në NATO, si të festonte "Dy gëzime në një ditë". Prangat në duart e tyre janë pranga për Vlorën e duke qenë kështu, janë tepër të brishta.