E Shtunë, 31 Tetor 2026

"NATO dhe shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë"

 

E mërkura e 3 prillit, do të mbahet mend ndër shqiptarët. Një ditë me dy ngjarje të pritshme, që prekën ndjenjat e shqiptarëve anekënd. Hapja e dyerve të NATO për Shqipërinë dhe lirimi i Ramush Haradinajt nga Haga, zgjuan vetëbesimin kolektiv të luhatur. Bukureshti i së mërkurës, nuk ngjante në Bukureshtin e vitit 1913. E mërkura ishte ditë e shqiptarëve. Shqipëria tash e di busullën e orientimit: NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Këtë orientim duhet ta mbajnë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Por, kjo që i ndodhi Maqedonisë nuk është për keqardhje. Është epilog i pritur. Është pasojë e krenarisë së rrejshme, të ngritur në ortekun e historisë së përmbysur. Cërvenkovski, Gruevski dhe krejt establishmenti politik maqedonas duhen të ulën e qesin gishtin në kokë. Të shtrijnë këmbët sa e kanë jorganin. E jo të improvizojnë me emocione për shtet. Le të pozojë tash Gruevski para Lekës së Madh. Grekët dëshmuan së janë të vendosur në politikë.

Nuk lëshuan pe` për emrin dhe janë shembull se si duhet vepruar në konteste diplomatike.

Po politikanët shqiptarë të Maqedonisë? Nuk arritën Maqedoninë ta bëjnë tamam shtet siç e duan shqiptarët, por shtet siç e donin maqedonasit (u bë edhe lufta dhe gama mentale e maqedonasve nuk ndryshoi). Dushi i ftohtë i Bukureshtit, ndoshta do t'i kthjellojë dhe esëll të veprojnë në të ardhmen. Njohja e pavarësisë së Kosovës dhe përmbushja e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit, janë gjërat që brenda natës duhet kryer.

Dhe çështjes së emrit përfundimisht i duhet vënë kapakun. Janë dy opsione të pranueshme. S'kanë më çfarë qesin brirë maqedonasit. Tash, po të ishin shqiptarët të mençur, kanë rastin të kushtëzojnë maqedonasit për çështjet e kamotshme të pazgjidhura. Kundërshtari sulmohet kur është më i dobët. Edhe në politikë vlen ky parim. Kuptohet jo për të çuar ujë në mullirin grek, por për të arritur qëllimet e shqiptarëve, të cilët janë deklaruar së duan të jetojnë në këtë shtet të brishtë, por me barazi të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›