"Është mendimi i shumë studentëve aktualë"
"Pasi të mbaroj studimet, të fus diplomën në xhep, do të iki për disa vite jashtë shtetit, të punoj, të siguroj ca të ardhura (për një shtëpi, një makinë, një biznes apo diçka tjetër) pastaj do të kthehem në Shqipëri, për të jetuar pranë të afërmve". Është mendimi i shumë studentëve aktualë. "Po kur të kthehem, si do të jenë mundësitë, sa do të ketë evoluar mentaliteti, kultura, korrupsioni, politika, shoqëria, por mbi të gjitha, cilësia e këtyre? Po mundësia për punë?!",- mendojnë disa të tjerë. Mua më ka ndodhur që, pasi mbarova vitin e parë të gjimnazit, mora rrugën drejt maleve të Greqisë. (Vetëm ata që kanë ikur në Greqi në këmbë, maleve me dëborë, e dinë ç'dua të them). Punova dy muajt e pushimeve, kuptohet, në bujqësi. Nuk kam shumë qejf të flas për greket. Dihet që ata janë përgjithësisht racistë, veçanërisht me ne shqiptarët. Do t'ju tregoj vetëm një episod, për të qeshur e për të qarë: Një ditë ishim të lodhur dhe i thamë "afendikoit" ta linim punën para orarit. Ai na lejoi dhe në fakt u habitëm pak. Por "dardha e ka bishtin prapa". Kur na shtroi drekën, racioni ishte... gjysma e të zakonshmes! E kishte nxjerrë te buka, orën që nuk i punuam. Arsyet e emigrimit nuk është nevoja të përmenden. Por unë u ktheva. I them shumë faleminderit prindërve, që më nxiten për të ardhur që të vazhdoja studimet. Vitin e kaluar mbarova studimet për Gjuhë të Huaj. Aktualisht jam në punë. Dhe pyetjes tradicionale shqiptare: "Sa paguhesh?", i përgjigjem: "Për vendin, shumë mirë!". Por si i ri që jam, nuk më mjaftojnë! Dua të theksoj dhe faktin që kam mësuar ca kompjuterin dhe si pasojë mendoj që kam disa avantazhe në punë. Shpeshherë jam duke u interesuar për një vend pune më të mirë. Gjithmonë duke menduar IN or OUT?! Jashtë apo brenda Shqipërisë? Një egoist do të mendonte: 1000 herë më mirë jashtë sesa në Shqipëri! Një familjar do të mendonte: Pak bukë me perime e me zemër të gëzuar, sesa tavolina plot me ushqim e pije të shtrenjta, e me zemër të trishtuar!