E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nuk flaket bebja bashkë me ujin e govatës, or mik!"

Rëndimi i gjendjes energjetike po përdoret si gogoli për t'i bërë shqiptarët të pranojnë çdo zgjidhje - edhe ato fatalet - ngaqë u qan syri për dritë. Situata e furnizimit me drita, megjithëse reshjet nuk po reshtin, nuk po përmirësohet. Pse? Mos vallë që të mbajnë gjallë justifikimin për veprat e naftës në Vlorë? Kjo është ajo fabula e kuçedrës që i zinte ujin fshatit. Vetëm se ne në Shqipëri kuçedrën e kemi prej vërteti. Një gjë le ta kemi të qartë të gjithë: Një aksident dhe riviera shqiptare do flerë të madhen.
Bota e tërë po mundohet të largohet nga karburantet fosile, e nga ndotjet katastrofike të mjedisit, përveç atyre që nuk shohin më tej se hunda e tyre. Ata e dinë që Nafta i përket të shkuarës, por ata të Ardhmen nuk kanë imagjinatë ta shohin, dhe ata nuk dinë të mendojnë tjetër përveç përfitimit të tyre Sot sepse janë njerëz të kategorisë "Dje". Shqipëria ka rezerva hidrike të prodhoje drita sa të dojë. Por mini-HEC-et u varrosën se janë pa përfitim për zagarët. U vunë shkopinj në rrota që të mos bëhen. Shqipëria ka diell, ka erë, ka lumenj e ka nevoja minimale për energji krahasuar me fqinjët. Nuk flaket bebja bashkë me ujin e govatës, or mik! Pse duhet ndërtuar në Vlorë, që është një zonë turistike? Le ta ndërtojnë në Itali, se për Italinë po ndërtohet, jo për Shqipërinë! Po gjetën këta langaraqë-shtetarë që shesin motrën jo më Vlorën dhe ia kanë nisur me zell ta kthejnë Shqipërinë në halenë (me drita) të Europës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›