Klanet ne PD, Topi mbledh 30 deputetë
Dreka e Presidentit
TIRANË- Ndonëse në të gjitha intervistat e dhëna pas zgjedhjes në krye të shtetit, ka deklaruar se e ka pasur mjaft të lehtë të shkëputej nga Partia Demokratike dhe të ishte një President mbi palët, Bamir Topi ka vërtetuar dje thuajse të kundërtën. Këtë e ka bërë me anë të një dreke të shtruar në një restorant në Durrës, ku të ftuar ka qenë një grup jo i vogël deputetësh demokratë, shumica e të cilëve njihen si mbështetës të tij dhe u specifikuan si të tillë në periudhën para se Topi të zgjidhej President, në një kohë që nuk ishte i ftuar asnjë deputet i majtë. Në fakt, këtë Bamir Topi e ka bërë edhe pak para se të zgjidhej President, kur në Vlorë drekoi po me këtë grup mbështetësish, por këtë herë ai ka zgjeruar numrin e të ftuarve, duke futur në të edhe deputetë të partive aleate të PD-së, si ata republikane dhe demokristianë, si edhe dy nga ministrat e PD-së në qeveri, Lulzim Bashën dhe Majlinda Bregun, që pak kanë kontribuar në Partinë Demokratike. I ftuar ishte edhe zv/kryeministri, Gazmend Oketa. Nga ana tjetër, mjaft figura të njohura të PD-së kanë munguar në drekën e djeshme, deputetë dhe ministra. Vetë Presidenti nuk ka dashur ta politizojë takimin, duke e konsideruar atë një drekë mes miqsh dhe disa herë e ka përsëritur këtë qëndrim gjatë drekës. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë deputetët e pranishëm, kur ndërsa janë kontaktuar nëpërmjet “Shekullit”, janë shprehur se qëllimi i drekës ka qenë një takim mes miqsh, çka në fakt konfirmon faktin se, kreu i shtetit nuk ka mundur dot të shkëputet nga PD-ja dhe politika. Kanë qenë rreth 30 deputetë, të PD-së dhe të partive aleate, ata me të cilët presidenti Bamir Topi ka drekuar dje në Durrës, në një drekë që ka zgjatur për rreth tre orë. Përgjatë këtyre tri orëve, përveç menysë së pasur, ku kanë mbizotëruar ushqimet e prodhuara nga deti, nuk kanë munguar as batutat dhe replikat mes deputetëve të pranishëm, por edhe nga vetë presidentit Bamir Topi. Një nga batutat më pikante duket se ka qenë ajo e thënë nga Topi, kur u është drejtuar të pranishmëve më të qeshur: “Mos ia thoni live Berishës drekën”. Por, batutat nuk kanë munduar as mes ministres së Integrimit, Majlinda Bregu dhe ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj. Ky i fundit, siç bëjnë të ditur deputetë që ishin gjatë drekës, duket se i është drejtuar Bregut, duke e pyetur nëse i kishte marrë leje “Saliut” që kishte ardhur në drekë, ndërsa kjo e fundit i është përgjigjur duke i thënë “ashtu si i merrje ti dikur”. Të pranishëm dje në drekën e presidentit Topi nuk kanë munguar as deputetët demokristianë dhe ish-kreu i PDK-së, Nikollë Lesi, për të cilët nuk kanë munguar batutat nga deputetët e PD-së të pranishëm. E tillë ka qenë ajo e bërë nga deputeti Sali Shehu, kur ka kërkuar të ngrejë një dolli për një nga demokristianët, duke mos specifikuar emrin, duke hedhur thumba mbi drejtimin e PDK-së.
Deputetët e pranishëm
Adrian Kollozi Albert Faruku Artur HasanbelliuAleksander Biberaj Aurel BylykbashiAlbert Xhindole Besnik Mustafaj Dashamir SulaEdmond SpahoEdi Paloka Engjëll CaraFatos BejaFrrok GjiniGalip RramadhiGenc Juka Gëzim KarapiciGazmend Oketa Idriz XhumaraLulzim BashaMajlinda Bregu Nard Ndoka Ndriçim Babasi Osman MetallaPal Dajçi Pashk Ujka Tom DoshiSafet Sula Rahim KaleciSali Shehu