E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ora News" zbulon axhendën e negociatave

Tashmë të gjithë elementët e takimit Berisha -Rama në tryezën e Presidentit janë përcaktuar përfundimisht.
Televizioni "Ora News" ka arritur të mësojë detajet mbi të cilat do të ndërtohet dialogu mes maxhorancës dhe opozitës , dialog që zyrtarisht do të startoje në 13 shkurt në orën 11:00 në selinë e Presidencës.
Mësohet se në tryezën e presidentit do të ulen kreu i maxhorancës Sali Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama, secili prej tyre do të shoqërohet nga një përfaqësues tjetër, mendohet se Sali Berisha do të shoqërohet nga kreu i Grupit Parlamentar i PD, Astrit Patozi dhe Edi Rama do të shoqërohet nga kreu i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi.
Paraprakisht është rënë dakord që diskutimet e të shtunës të bazohen mbi rezolutën e Asamblese Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ky dokument bazë është përzgjedhur mes shumë propozimeve që kanë ardhur gjatë këtyre ditëve nga partitë, siç ka qenë propozimi për të diskutuar mbi kërkesat e opozitës, por k y variant është rrëzuar.
Gjithashtu është rënë dakord që roli i kreut të shtetit në këtë tryezë të mos jetë roli i moderatorit, por në përputhje me statusin e tij si personalitet mbi palët dhe në përputhje me kuadrin kushtetues, Presidenti do të lehtesojë dialogun.
Gjithashtu është rënë dakord nga të gjithë palët që tryeza e së shtunës tek Presidenti, vetëm të çelë negociatat; të cilat do të pasohen nga takime të tjera në nivel ekspertësh politikë nga të dy kampet. Do të jenë këta ekspertë të cilet duke u bazuar tek rezoluta e KiE dhe tek propozimet e së cilës palë do të hartojnë dokumentin final që përfaqëson vullnetin e përbashkët të opozitës dhe të maxhorancës.
Gjithashtu palët kanë rënë dakord që në këtë raund negociatash , detajet e diskutimeve të mbahen të fshehta për median të paktën deri në arritjen e kompromisit.
Në fund të negociatave do të jenë sërish Sali Berisha dhe Edi Rama në tryezën e Presidentit që do të firmosin paktin e madh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›