"Pakti", Meta: Vendimi i Gjykatës, i instrumentalizuar
“Natyrisht që ka një keqardhje jo vetëm do të thosha nga pala greke, por do të thosha se edhe unë ndjehem i keqardhur, jo thjesht për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por në përgjithësi për instrumentalizimin në politikë të kësaj çështjeje për qëllime krejtësisht të ngushta politike”, u shpreh Meta në Londër, nga ku po merr pjesë në samitin për Afganistanin. Duke folur për marrëdhëniet me Greqinë, Meta u shpreh se një vendim i tillë nuk do të cenojë aspak perspektivën dhe të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve.“Absolutisht që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të cenojë aspak perspektivën dhe të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona të cilat absolutisht që do të tregojnë një vullnet edhe më të madh për të ecur përpara, pasi janë marrëdhënie të gjithanshme në të gjitha fushat, në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, ashtu sikurse jam i bindur që të gjitha çështjet që janë të mbartura dhe ende të pazgjidhura do të zgjidhen duke respektuar institucionet e të dy vendeve dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me perspektivën evropiane, sidomos të Shqipërisë e cila ende ka një rrugë për të bërë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, tha më tej ministri i Jashtëm i Shqipërisë.