E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pengesë nga vendet që nuk e njohën pavarësinë"

PRISHTINE-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi doli dje hapur kundër Brukselit, i cili po pengon në punën e tij EULEX-in që të përmbushë misionin e tij në këtë shtet. Ai vë gishtin për këtë pengesë pikërisht mbi pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por nga ana tjetër, EULEX vazhdon të pohojë se po e përmbush misionin e vet në Kosovë. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës vazhdojnë të shprehin pakënaqësi me punën e misionit të Bashkimit Europian për sundimin e ligjit - EULEX.
Kritikave të deputetëve për punën joefikase të EULEX-it iu është bashkuar edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai tha se misioni po merret me krimet e luftës, në vend që të punojë për prioritetet e veta që ka si mision, duke veçuar si prioritet vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit.

Sipas Krasniqit, bashkëpunimi me EULEX-in nuk duhet të pushojë, por duhet të përcaktojë sërish prioritetet midis qeverisë vendase dhe këtij misioni. "Qeveria dhe institucionet e Kosovës me EULEX-in duhet të përcaktojnë sërish prioritetet. Ne mendojmë se për Kosovën, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë, nuk është prioritet marrja me krimet e luftës, por për EULEX-in dhe institucionet e Kosovës prioritet është vendosja e sundimit të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të Kosovës", tha Krasniqi. Kryetari i Kuvendit tha se kritikat që i adresohen EULEX-it nuk nënkuptojnë acarimin e marrëdhënieve me këtë mision, por janë vërejtje korrekte për punën dhe angazhimin e deritashëm. "Zërat kritikë të deputetëve nuk duhen parë si kërkesë për t'i acaruar apo prishur marrëdhëniet me EULEX-in, por duhen parë si vërejtje korrekte të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Kosovës, jo për punët që nuk i ka bërë EULEX-i ose i ka bërë keq...Por ne kërkojmë që EULEX-i t'i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë, për të cilat ka ardhur në Kosovë", - theksoi Krasniqi. Zyrtarja e EULEX-it, Irina Gudeleviç, tha se ky mision i mirëkupton njerëzit që me padurim presin të shohin fundin e hetimeve për disa raste, sidomos ato të korrupsionit, por në shoqëritë moderne e demokratike, sipas saj, nevojitet kohë që të ketë një vendosje të vërtetë të sundimit të rendit dhe ligjit. "EULEX-i po e përmbush mandatin e vet në fushën e sundimit të ligjit. Siç e dini, ne kemi shtrirje në fushat e policisë, gjyqësisë dhe doganave", - tha Gudeleviç.

Edhe për veriun e Kosovës, ku më së shumti kritikohet EULEX-i, Gude-leviç tha se misioni i BE-së po vazhdon me punën e vet, duke u angazhuar në fushat, të cilat janë përgjegjësi e këtij misioni. Ndërsa EULEX po kërkon më shumë kohë që të dëshmojë punën e vet në Kosovë, Jakup Krasniqi tha se pengesat kryesore për punën e misionit evropian vijnë nga Brukseli dhe jo nga Prishtina. "EULEX ka një pengesë dhe këtë pengesë nuk e ka nga institucionet e Kosovës. Penge-sën e ka nga Bashkimi Evropian dhe më konkretisht ka nga pesë vendet që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Pengesat për të vepruar, mendoj që i ka në Bruksel dhe jo në Prishtinë", - u shpreh Krasniqi. Raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it janë ashpërsuar pasi ky mision në punën e tij aktualisht është përqendruar në hetimet e disa rasteve që lidhen me dyshimet për krimet e luftës, për të cilat më parë kishte hetuar edhe misioni i UNMIK-ut pas vitit 1999.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›