Dy shoqe, letër Babagjyshit
Ndërsa ne të rriturit në këto ditë festash vazhdojmë të prodhojmë gjithë negativitetin e mundshëm karshi njëritjetrit, fëmijët, fëmijët, të lënë jashtë vëmendjes dhe si sfond për të zbukuruar jetën tonë, janë të bezdisur shumë nga kjo gjë. Kur mendja e zemra mposhtet nga e keqja, nga urrejtja, shpesh sytë erren dhe ne nuk shohim përtej egos sonë. Kjo është letra, të cilën Gladiola (nuk është emri i vërtetë i saj) më kërkoi si ndihmë për ta shtjelluar e për ta shkruar në Gazetë. Në fakt, ajo ma diktonte dhe unë e shkruajta në këtë formë. Shpresoj të kem përcjellë thjeshtë dhe të plotë shqetësimin e dy shoqeve të ngushta, vetëm 9 vjeç, që për qetësinë e tyre dhe të familjeve kërkojnë një magji. Nuk e shohin të realizueshme nga njerëzit që i rrethojnë, ndaj i kërkojnë ndihmë Babagjyshit të Vitit të Ri. Kështu bëjnë fëmijët, kur të rriturit nuk i dëgjojnë. “Bëje me titull në faqe të parë, - më tha me seriozitet Gladiola, duke më ngulur sytë e zgjuar që i shkëlqenin nën syze, - se e lexon xhaxhi Bashkimi në mëngjes dhe babi e ndjek me shumë vëmendje gjithmonë”. I dashur Babagjysh, Ne jemi dy shoqe të ngushta që jetojmë në lagjen “Myslym Shyri” në Tiranë. Pallatin nuk ta tregojmë. Unë quhem Gladiola, ndërsa shoqja ime, Mira. Unë jetoj në katin e dytë, ndërsa Mira në katin e katërt. Ne rrimë gjithmonë bashkë, luajmë, bëjmë mësimet, gjithnjë të dyja. Gjyshja ime është shumë shoqe me gjyshen e Mirës, por prindërit tanë nuk flasin fare. Babi im është gazetar, edhe babi e mami i Mirës janë gazetarë, por ata e urrejnë njëri-tjetrin. Babi im e pëlqen shumë Sali Berishën, thotë se është njeriu më i drejtë dhe më i ndershëm i Shqipërisë. Ndërsa prindërit e Mirës e urrejnë atë. Ata thonë se Berisha është një vrasës dhe fatkeqësi për ne të gjithë. Janë zënë keq për këtë punë një ditë. I dëgjoi i gjithë pallati. Neve na vjen turp. Gjyshet tona takohen fshehurazi, kur prindërit tanë shkojnë në punë, dhe na bëjnë shumë gjëra të mira, na kënaqin dhe na bëjnë për të qeshur. Tani kanë nisur pushimet dhe si unë dhe Mira kemi shumë kohë të lirë. Sapo ikën mami e babi, gjyshja e Mirës vjen te ne dhe bisedojmë se çfarë do të gatuajmë për drekën sot. Ne jemi shumë të lumtura që prindërit tanë punojnë tërë ditën dhe kështu ne jemi të lira të bëjmë çfarë të duam në shtëpi. Ja sot, nga ora 10 e mëngjesit, sapo iku babi im, se mami ikën që në mëngjes, gjyshja e Mirës zbriti te ne me një tas mbushur me petulla. Unë i preferoj me mjaltë, ndërsa Mira, me djathë të bardhë Gjirokastre. Heeem, heeem... u kënaqëm shumë. I dashur Babagjysh, unë kam shumë kërkesa, por nuk e di në do të m’i plotësosh dot të gjitha. Kushedi sa fëmijë të shkruajnë për të realizuar dëshira. Megjithatë, unë jam e kënaqur dhe nëse më plotëson vetëm ndonjërën. E para, është shumë e rëndësishme: Unë nuk dua që babi im të kthehet në shtëpi papritur, siç e bëri dje. Ai u kthye sepse kishte harruar diçka dhe pa te ne gjyshen e Mirës. U tërbua fare. Gjyshes i tha fshehurazi se nuk donte ta shihte më në shtëpinë tonë atë socialiste dhe unë nuk di si do t’ia bëjmë. Gjyshes i propozova që ta mbyllim mirë derën nga brenda dhe sapo të shohim kush është, të fshehim gjyshen e Mirës dhe Mirën poshtë krevatit. Por unë të lutem shumë Babagjysh, bëj që babi im të mos kthehet papritur në shtëpi e të mos harrojë gjëra kur del për në punë. Pastaj kam dhe një kërkesë tjetër: që babai i Mirës të marrë rrogat e disa muajve, që nuk i ka marrë akoma. Mua më kanë blerë shumë fustane, një pallto të re, çizme me Hello Kitty për këto festa, ndërsa Mirës, vetëm një çantë të vogël që ajo nuk e pëlqen fare. Prindërit e Mirës i thonë që presin ndonjë euro nga xhaxhai që punon në Greqi, por ai nuk i ka sjellë ende akoma. I dashur Babagjysh, unë i jap Mirës të gjitha lodrat e mia, por ajo nuk mund t’i marrë dhe në shtëpinë e saj sepse i bërtasin prindërit. Ti mund ta bësh këtë gjë, të lutem: të bësh një magji që babai e mamaja të marrin rrogat. Babagjyshi i Vitit të Ri, Gjyshja ime dhe gjyshja e Mirës kanë preferenca të ndryshme politike. Gjyshja ime është demokrate, ndërsa gjyshja e Mirës socialiste. Gjyshja e Mirës vdes për Edi Ramën dhe thotë që është i mençur, i bukur dhe shumë punëtor; gjyshja ime thotë se Sali Berisha është familjar dhe njeri serioz. Ato i bëjnë këto muhabete kur na përgatisin drekën apo kur na mësojnë të bëjmë hasude me arra dhe asnjëherë nuk grinden. Ndërsa para dy vjetësh, kur mami im dhe mami i Mirës u zunë në shtëpinë time për këtë punë, harruan të na jepnin dhe për të ngrënë, saqë unë dhe Mira shkuam poshtë te sufllaqet dhe i kërkuam dy, pa lekë, xhaxhi Milos që u tregua shumë i mirë e na i dha. I dashur Babagjysh, A mund të të kërkoj këtë dëshirë të fundit: Që vitin që vjen prindërit e mi dhe prindërit e Mirës të pajtohen me njëri-tjetrin. Le të grinden për pasionet e tyre politike, por të mos harrojnë të gatuajnë dhe të mos më bërtasin kur shohin gjyshen e Mirës në shtëpinë tonë. Po edhe nëse nuk pajtohen, unë me Mirën dhe gjyshet do të takohemi gjithmonë, vetëm se nuk më vjen mirë që unë mezi pres të ikin në punë, më duket sikur nuk i dua, prandaj po të shkruaj të ma zgjidhësh këtë problem”.