Topalli: Kuvendi punoi me sukses. Uroj rikthimin e PS
TIRANE-Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka vlerësuar sot punën e Kuvendit për sesionin legjislativ për vitin 2009 ku ka përsëritur ftesën për Partinë Socialiste që të rikthehet në Kuvend dhe ka uruar që kjo të ndodhë në dy muajt e parë të vitit 2010. “Opozita ka një rol shumë të madh dhe duhet të rikthehet në Kuvend pasi duhet të shpalosë këndvështrimin e votuesve të saj për ligj që diskutohet në sallë”. Kryeparlamentarja vlerësoi sot paradite në një konferencë të hapur për mediat se puna e Kuvendit ka qënë e suksesshme pavarësisht mungesës së opozitës. “Fakti që ne kemi kaluar shumë ligje të rëndësishme, si ligji antimafia për të cilin jemi shumë krenarë, kemi miratuar dërgimin e forcave të armatosura në Afganistan, kemi vepruar pra si një vend partner i NATO-s, kjo do të thotë se kemi funksionuar”. Sipas Topallit Kuvendi ka vepruar në mënyrë demokratike dhe shprehu bindjen se në dy muajt e para te viti 2010, opozita do të bindet dhe do të kthehet në Kuvend. “Shpreh shqetësim që opozita mungoi në këtë sesion kaq të rëndësishëm. Por sfida dhe reforma na presin vitin 2010. Unë ftoj kryetarin e PS të mos i pengojë deputetët për të kryer punën e tyre, populli kërkon të dëgjojë mendimin e tij në parlament, dhe uroj që ata të rikthehen në Kuvend në muajt e pare te vitit 2010”. Topalli theksoi se mungesa e opozitës gjatë këtij sesioni solli mungesën e propozimeve kundërshtare që sipas saj janë shumë të vlefshme në Parlament. Dhe duke sjellë momente nga puna e saj si deputete e opozitës Topalli tha “personalisht mendoj se opozita është një pushtet i jashtëzakonshëm. Kam ndejtur 8 vjet në opozitë dhe e di mirë sa i rëndësishëm është roli i opozitës ndaj e ju bëj ftesën, se ata duhet të vijnë të shpalosin këndvështrimin e tyre opozitar. Prej 15 vjetësh jam në parlament dhe e vlerësoj rolin e opozitës ndaj nuk përjashtoj rastin e tyre”. Sipas Topallit, detyrat jane te ndara, Maxhoranca duhet te qeverise vendin dhe opozita per te bere opoziten.Por, sic shtoi kryeparlamentarja mungesa e vazhdueshme edhe mund ta cojë atë së shpejti në një vendim për largimin e deputetëve që bojkotojnë punën e Kuvendit dhe zëvëndësimin e tyre. “Apeli është për zotin Rama, që ti lejojë deputetët që të përcjellin mendimin e votuesve socialistë, pasi si kryetare kam mundësi të zbatoj ligjin që përcakton kushtetuta e parlamenti të zbatoj detyrën që më takon”. E pyetur nëse ka sinjale se socialistët do të rikthehen në Kuvend, Topalli u shpreh se reformat që e presin vendin janë shumë të rëndësishme dhe Opozita duhe ta kuptojë njeherë e mirë rolin që i takon. (d.b/BalkanWeb)