"Po të kishim qeveritarë të aftë, djemtë tuaj do ishin gjallë"
Shumë gjëra në Shqipëri vijnë nga padituria. Është fakt i padiskutueshëm. Çështja e pronësisë është mollë sherri. Ja, lexuam në "Shekulli" letrën e asaj nënës që i ishin vrarë dy djemtë e që babai kishte marrë hak, duke vrarë dy të tjerë. Në këtë rast, si dhe në raste të tjera, të dyja familjet nuk kanë evidenca (dokumente) për pronësinë e tokës. Shpërngulja masive e popullatës në tokat e të tjerëve pa e blerë atë, sot, krijon krime nga më të ndryshme. Zonjë, gaboheni në shprehjen: "70 cm tokë ishte strehë e përbashkët". Nuk jemi në sistemin primitiv, por në sistemin demokrat. Të paktën teorikisht. Ndaj, prona është e shenjtë, blihet dhe dokumentohet në Kadastër dhe nuk ke nevojë të mbash letra nëpër këmbë. Unë banoj në Amerikë, kam blerë shtëpi po e paguaj atë, por dokumentet janë zyrën përkatëse të qytetit. Aty është çdo gjë, edhe çmimi, edhe pozicioni, kufijtë etj. Çdo njeri në botë mund ta vërtetojë e shikojë atë pa qenë prezent në zyrë, sepse është e hedhur edhe në faqen e internetit. E shikon sa larg jemi në shqiptarët? E kuptoni se çfarë do të thotë mençuri dhe edukim dhe njerëz të aftë në drejtimin e një vendi? Sikur ne të kishim politikanë të aftë e shtetarë të aftë, djemtë tuaj do ishin tani gjallë. Qeveria nuk ju garanton në këtë lëmsh. Më vjen keq!