E Shtunë, 31 Tetor 2026

"The Guardian" boton dokumente sekrete të Izraelit

Gazeta britanike "The Guardian" ka botuar sot disa dokumente sekrete sipas të cilave në vitin 1975 Izraeli i ofroi regjimit afrikanojugor të aparteidit shitjen e raketave Jericho të cilat mund të armatosen me koka bërthamore, por shitja nuk u krye sepse kostoja ishte shumë e lartë.

Sipas të përditshmes britanike "The Guardian" bëhet fjalë për provën e parë të dokumentuar të kapacitetit bërthamor të Izraelit, mbuluar prej vitesh nga një perde paqartësie.

Në qendër të kësaj çështje, thekson gazeta, ishin Shimon Peres, atëherë ministri i Mbrojtjes dhe sot kreu i shtetit hebre, dhe ministri afrikanojugor i Mbrojtjes PW Botha.

Disponibiliteti i dyshimtë i Izraelit për të shitur veç raketave edhe kokat bërthamore është mbajtur i fshehtë me eufemizëm. Por në Jerusalem pohimet e gazetës britanike (që bazohen në një kërkim të thellë të studiuesit amerikan Sasha Polakow-Suransky) kanë shkaktuar zemërim dhe janë përgënjeshtruar.

"Bëhet fjalë për informacione të pabaza, pa asnjë lidhje me realitetin", deklaroi për radion ushtarake zëdhënësi i Peres, Ayelet Frisch. "Do t'i dërgojmë gazetës "The Guardian" një letër në të cilën do t'i kërkojmë publikimin e fakteve korrekte. është e dënueshme që gazeta nuk gjeti mundësinë për t'ju drejtuar presidentit Peres para publikimit të artikullit për të dëgjuar komentet e tij", shtoi Frisch.

Burime politike izraelite, cituar nga e njëjta gazetë, kanë shtuar se besueshmëria e dokumenteve të publikuara nga gazeta britanike është "e dyshimtë"

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›