E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vendimi për banesat e të ish-pronarëve antikushtetues"

Avokati i Popullit mbështet nismën e qeverisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por shton se ajo duhet të bëhet në frymë të Kushtetutës.

“Bazuar në vendimet e sipërcituara të Gjykatës Kushtetuese, kompetenca për rregullimin e marrëdhënies pronarë të ligjshëm dhe qytetarë të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, i është lënë Kuvendit të Shqipërisë, i cili duhet të bëjë plotësimet e nevojshme në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Sot e kësaj dite urdhërimet e vendimit nr.11 datë 04.04.2007, të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, pasi ende nuk ka një plotësim të boshllëkut ligjor të krijuar me shfuqizimin e nenit 9, të Ligjit nr.9583 datë 17.07.2006 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.

Këshilli i Ministrave, përmes nxjerrjes së Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2012, ka marrë padrejtësisht një kompetencë të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit dërguar Kuvendit të Shqipërisë.

Më tej thuhet se në analizë të të gjitha rrethanave në të cilat është nxjerrë ky akt, ky mjet ligjor nuk duhet dhe nuk mund të jetë ndërhyrja e duhur proporcionale, për zgjidhjen e çështjes. “Edhe nga vetë përmbajtja e dispozitave të aktit,  del se nuk ka një studim të mirëfilltë të detajuar nga ana e Qeverisë, për familjet e pastreha si në këtë rast dhe se si paraqitet gjendja e tyre reale. Nuk përligjen kërkesat e nenit 101 të Kushtetutës, rasti i nevojës dhe urgjencës për marrjen e masave të përkohshme, me një akt të tillë, ndërkohë që masat që do të rezultojnë prej zbatimit të tij, kanë karakter të përhershëm”, vijon reagimi.

Për sa i përket aspektit të përmbajtjes, Akti Normativ i Qeverisë sipas Avokatit të Popullit, shkel  parimet e rëndësishme kushtetuese, që lidhen direkt me të drejta të njohura dhe garantuara në Kushtetutë.

“Konkretisht, shkel parimin e sigurisë juridike, si pjesë përbërëse e rëndësishme e shtetit të së drejtës, po kështu përbën premisë në zbatimin e tij për një trajtim diskriminues ndaj shtresës së qeramarrësve, duke iu cënuar të drejtën e tyre për të jetuar dhe të drejtën për pasjen e një strehe. Afatet e përcaktuara për kryerjen e procedurave të nevojshme nga organet kompetente të përcaktuara në këtë akt, janë ekstremisht të shkurtra. Ndalohet vendimmarrja e Gjykatës kompetente të Shkallës së Parë,nisur nga rregullimet e bëra në një akt normativ, ndërkohë që veprimtaria e gjykatës në këto raste rregullohet me Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile. Pra, përcaktimi i bërë në këtë paragraf cenon hierarkinë e akteve normative që kanë fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe bie ndesh me pikën 1, të nenit 116 të Kushtetutës .Pra, nëpërmjet aktit i merret në mënyrë të kundërligjshme një kompetencë organit te Gjykatës”, thuhet më tej.

“Efektivisht, vlerësojmë se ndërhyrja efektive e shtetit nuk ka qënë në nivelin e duhur për të realizuar në fakt një të drejtë që individëve u garantohet nga Kushtetuta dhe gjithë kuadri ligjor ekzistues. Pikërisht, nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje në këtë çështje, ne kërkojmë që të krijojmë një raport të drejtë në respektimin e së drejtës së pronës dhe së drejtës për strehim, për nje trajtim dinjitoz te grupeve dhe interesave të tyre legjitime. Për të gjithë këto arsye, gjykojmë se Aktit Normativ i Këshillit të Ministrave nr.3 datë 1.08.2012, është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe si i tillë çmojmë se duhet të jetë në përputhje me urdhërimet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër miratimi dhe më pas zbatimi i tij, do te sillte pasoja serioze dhe te parikuperueshme”, përfundon reagimi i Avokatit të Popullit. /Start/

                                                                                             2012-09-11 09:20
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›