E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Inspektorati i Punës mbyll "Kurum"-in

Prokuroria, hetime për zbardhjen e shkaqeve. Shkëputja e Tubave ftohëse dhe lagështira në skrap, pistat kryesore
Miço: Masa te pamjaftueshme teknike e standarde të pazbatuara. E mbyllur deri në plotësimin e kushteve
ELBASAN-Dy ditë pas ngjarjes që i mori jetën një punëtori dhe shkaktoi dëmtimin e 10 punëtorëve të tjerë, Inspektoriati Shtetëror i Punës vendos pezullimin e aktivitetit të firmës për një kohë të pacaktuar, deri në plotësimin e parametrave të sigurisë në furrën e shkrirjes.
Vendimi
Thoma Miço, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës ka mbërritur dje në ambientet e firmës "Kurum", duke zhvilluar edhe një takim me drejtues e teknikë të saj pas tragjedisë së regjistruar në furrën e shkrirjes. Takimi ka qenë me dyer të mbyllura dhe në fund të tij, Miço ka deklaruar edhe vendimin paraprak për pezullimin e aktivitetit në Uzinën e Shkrirjes, deri në arritjen e parametrave optimalë të sigurisë në linjën e prodhimit të çelikut. "Është shkatërruar furra dhe patjetër ka masa të pamjaftueshme teknike të parashikuara ose të paparashikuara, ka standarde të pazbatuara. Pas kërkesës së firmës për riparimin e sistemit, që duhet ta kishte bërë kohë më pare, ne i komunikuam mbylljen e repartit të shkrirjes së çelikut për aq kohë sa furra e re të arrijë parametra dhe standarde të pranueshme dhe që garanton në vazhdimësi procesin teknologjik"- ka thënë prerë ai. Sipas tij, në momentin që do të realizohet investimi i nevojshëm, Inspektoriati Shtetëror i Punës, qoftë për 3 muaj, për 6, për 1 vit do të inspektojë dhe riinspektojë parametrat e investimit dhe në rast se ekspertët shprehen dakord do të jepet urdhri për vazhdimin e aktivitetit. "Urdhri do të lëshohet që nesër nga Drejtoria e Përgjithshme e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe do t'i komunikohet firmës turke",- deklaroi ai.
Më pas Miço i ndjekur edhe nga inspektorët e tij si dhe drejtues të "Kurum" kanë inspektuar ambientet ku u regjistrua shpërthimi i fuqishëm.
Prokuroria
Prokuroria e Elbasanit përcaktoi një grup prokurorësh për të hetuar mbi tragjedinë e ndodhur në "Kurum" dhe nuk ka nxituar të japë përfundimet për tragjedinë në Kurum. Kryeprokurori Durim Bedini deklaroi se për këtë rast janë duke punuar një grup prokurorësh të cilët janë në pritje të raportit të ekspertëve."Ekspertët që do të ndihmojnë prokurorinë në analizën e situatës së ndodhur dhe për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje, që nuk është e para, sepse kjo lloj industrie e përmban një rrezik të tillë. Gjithsesi Fatmir Manushi dhe Gëzim Mançe janë ekspertët që do të hetojnë procesin e ndodhjes së shpërthimit, ndërkohë që tre të ndaluarit pritet të paraqiten në gjykatë për vlerësimin e masës së arrestit"- tha Bedini.
Pistat e hetimit
Dy pistat kryesore të shkakut të kësaj ngjarjeje mbetet shkëputja e një prej tubaveftohëse që dërgojnë ujë për ftohjen e kallëpeve të çelikut dhe hyrja e ujit në furrnaltë si dhe lagështira në skrap. Gjithçka pritet të vendoset nga ekspertët në raportin e tyre përfundimtar. Grupi i prokurorëve i ngarkuar është duke ndjekur hapa pas hapi hetimet dhe Furrnalta ku edhe u regjistrua shpërthimi vazhdon të jetë e izoluar. Po kështu janë grumbulluar edhe dëshmitë e të dëmtuarve dhe të gjithë punëtorëve që ndodheshin atë natë në turn. Nga prokurorët janë marrë në pyetje edhe tre të ndaluarit për të mësuar edhe versionin e tyre mbi atë që ka ndodhur në furrnaltë. Akuzat ndaj dy turqve dhe inxhinierit shqiptar mbetet neglizhenca në punë dhe mosmarrja e masave për kontrollin teknik të furrnaltës. Policia deklaron se çështja tashmë i ka kaluar prokurorisë dhe ekspertët përfundimet e tyre do t'i dërgojnë pranë organit të akuzës. Mësohet se dy ekspertët e mbërritur janë dërguar nga Ministria e Energjetikës.
Veli Jahja edhe pas ndërhyrjeve ndodhet në gjendje kome cerebrale
Të dëmtuarit, ende rëndë dy prej tyre
Vazhdojnë të marrin ndihmën mjekësore 4 nga 10 metalurgët e dëmtuar ndërsa dy prej tyre janë transportuar në spitalin Ushtarak të Tiranës. Vetëm një prej tyre është larguar në shtëpi, pasi ka marrë mjekimet e nevojshme ndërsa të tjerët ndodhen ende me dëmtime të rënda në spital. Elton Sefa, 18-vjeç ; Veli Shupheja, 57-vjeç ; Agim Qosja, 60-vjeç ; Edvald Mersini, 26-vjeç ndodhen ende në spitalin kirurgjik dhe janë nën kujdesin e mjekëve të kirurgjikut. Mësohet se janë dy metalurgë që vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë, duke u zhvendosur në spitalin ushtarak të Tiranës. Veli Jahja ndodhet ende në gjendje kome cerebrale dhe Mithat Dervishi, i cili ka pësuar djegie më të mëdha në trup është transportuar vetëm dje pasdite drejt Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›