Dogjën 21 regjistra, arrestohen 3 gjimnazistë
Tre gjimnazistët e "Sami Frashërit" ishin në prag të përjashtimit, ndërsa prindërit nuk kishin dijeni
TIRANË- Frika për përjashtimin nga shkolla duket se ka detyruar tre gjimnazistë të vjedhin regjistrat e "nxirë" nga mungesat e tyre. Të ndihmuar nga një djalë jashtë gjimnazit të përgjithshëm "Sami Frashëri" në Tiranë, tre nxënësit e kësaj shkolle mundën të zhduknin regjistrin e klasës së tyre si dhe të shumë klasave të tjera. Vjedhja e 21 regjistrave, e cila mban firmën e gjimnazistëve Lori Kelolli 18-vjeç, Jurgen Ceno 18, G.Gj 17-vjeç si dhe të 18-vjeçarit Flavio Rusheku, jo nxënës i shkollës, ndodhi tre ditë më parë. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se pas dy ditë hetimesh intensive, specialistët e seksioni të luftës kundër vjedhjeve mundën të identifikonin dhe të arrestonin ditën e djeshme autorët e dyshuar të vjedhjes së regjistrave të gjimnazit "Sami Frashëri". Ndaj tyre është ngritur akuza e "vjedhjes në bashkëpunim".
Zhdukja e regjistrave
Në të shumtën e kutive të regjistrit, mësuesit kishin shënuar "m" për tre gjimnazistëve Lori Kelolli, Jurgen Ceno dhe G.Gj, të cilët nuk përgjigjeshin gjatë apelit. Duket se tre nxënësit kanë kryer shumë mungesa të cilët po rrezikonin përjashtimin e tyre nga shkolla. Pamundësia për të justifikuar pjesën më të madhe të mungesave për të cilat dyshohet se as prindërit e tyre nuk kanë pasur dijeni, nxënësit kanë skenuar një mundësi për të shpëtuar vitin shkollor. Kështu, tre ditë më parë dy 18-vjeçarët dhe 17-vjeçari kërkuan ndihmën e një shoku të tyre, i cili nuk është nxënës në shkollën "Sami Frashëri" ku ata studionin. Këta të fundit kanë mundur të hyjnë gjatë orëve të vona të natës, nëpërmjet një dritareje të cilën e kanë thyer në ambientet e shkollës. Në kasafortën e sallës së mësuesve, nxënësit "hajdutë" kanë vjedhur jo vetëm regjistrin e klasës së tyre por edhe të klasave të tjera me qëllim humbjen e gjurmëve. Të nesërmen kur mësuesit kanë shkuar për të tërhequr regjistrat konstatuan se mungonin 21 prej tyre. Menjëherë u dha alarmi ndërsa policia mbërriti në një nga gjimnazet më të frekuentuara të kryeqytetit.
Hetimi
Policia nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj vjedhjeje. "Që në fillim dyshonim se vjedhja ishte kryer nga nxënësit e këtij gjimnazi, kështu që shoqëruam më problematikët",- thanë burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Të njëjtat burime shtuan se autorët pasi vodhën regjistrat i dogjën ato dhe më pas i hodhën në një pusetë në afërsi të rrugës së "Barrikadave". Pas rreth dy ditë hetimesh policia mundi të ngushtonte rrethin e autorëve të dyshuar të vjedhjes së regjistrave duke e çuar numrin e tyre në katër persona tre prej të cilëve ishin nxënës të kësaj shkolle. Paraditen e djeshme forcat e policisë zbarkuan në gjimnazin "Sami Frashëri" dhe i mbërthyen prangat tre nxënësve si autorët kryesorë të dyshuar për vjedhjen e regjistrave ndërsa arrestimi i Flavio Reshkut u krye në një lokal në rrugën e "Barrikadave". Mësohet se të dyshuarit ishin në prag të përjashtimit nga shkolla për shkak të mungesave të shumta që kishin ndaj dhe për të shpëtuar vitin shkollor zhdukën regjistrat. Por duket se ky veprim jo vetëm që nuk u shpëtoi shkollën tre nxënësve, por përkundrazi, i ka mbyllur në qeli ata. Zhdukja e 21 regjistrave ka shkaktuar jo pak kaos në gjimnazin "Sami Frasëri" duke bërë që mësuesit të shënojnë notat dhe mungesat në fletore. Ndërsa kanë "humbur" notat dhe mungesat e 21 klasave të regjistruara për këtë vit në shkollën e mesme të përgjithshme "Sami Frashëri".