E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyshja e mbesa plagosen aksidentalisht nga komshiu

Durrës, Dile Meta e mbesa e saj 14-vjeçare janë plagosur nga plumbat e qëlluara pa adresë nga Saimir Kalemi
DURRËS- Një grua 60 vjeçare dhe mbesa e saj 14 vjeç janë plagosur aksidentalisht dje në qytetin e Durrësit nga plumbat e lëshuara nga automatiku i fqinjit të tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme në lagjen Shkozet dhe për fat të mirë gjendja e të plagosurave është në përmirësim e sipër. Pak minuta pas ngjarjes policia ka zbuluar autorin e goditjes me armë por nuk ka arritur ende që ta arrestojë pasi ishte larguar nga shtëpia.
Sipas policisë së Durrësit, gjithçka ka ardhur pasi Saimir Kalemi është nxehur me shokët e tij teksa po luanin bixhoz. Kalemi 23-vjeçar kishte mbledhur shokët në banesën e tij por rreth orës 18.00 është nxehur tej mase me ta. Në debat e sipër 23-vjeçari ka marrë automatikun dhe ka dalë në oborrin e shtëpisë. Ai e ka drejtuar armën në ajër dhe ka nisur që të qëllojë por në një moment arma ka devijuar dhe plumbat i janë drejtuar banesës së fqinjëve të tij Meta. Kur ka parë se plumbat kanë rënë mbi shtëpinë e fqinjëve dhe kur ka dëgjuar britmat e tyre, Saimir Kalemi është larguar me vrap duke marrë edhe armën me vete. Por predhat e plumbave që kanë rënë në familjen Meta kanë plagosur Dilen 60- vjeçare dhe mbesën e saj 14-vjeçare. Të dyja këto janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit ku kanë marrë edhe ndihmën e parë mjekësore. Burimet e këtij spitalit pohuan dje në mbrëmje se gjendja shëndetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën dhe në përmirësim e sipër. Menjëherë pas ngjarjes është njoftuar policia lokale. Oficerët e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku kanë folur me dëshmitarët okularë. Prej tyre ata kanë mësuar se personi që ka qëlluar me armë ka qenë fqinji i të plagosurave, Saimir Kalemi. Sipas dëshmitarëve, ai nuk ka dashur të qëllojë mbi shtëpinë por ka qëlluar në ajër. Pas këtij informacioni policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit por ai nuk ndodhej aty. Tashmë 23-vjeçari është shpallur person në kërkim nga policia e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›