Elbasan, godet me sëpatë baxhanakun për xhelozi
Bardhyl Haka vrau më sëpatë Nevruz Mehillin. Sipas policisë ai ishte kuruar në spitalin psikiatrik
Shkak është bërë xhelozia e autorit për bashkëshorten: Përfundova në psikiatri se ai më qëlloi
ELBASAN- Konflikti i nisur kohë më parë mes baxhanakësh me shkak xhelozinë bashkëshortore ka përfunduar me një viktimë në një fshat të Elbasanit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 11.30 në fshatin Broshkë të komunës Papërr në lokalin e shtetasit Tasim Xhyra, në pritje të zhvillimit të një ceremonie mortore. Bardhyl Haka, 42-vjeç, me banim në fshatin Vidhas ka hyrë në lokal me sëpatë në dorë dhe e ka goditur menjëherë shtetasin Nevruz Mehilli, 40-vjeç, me banim në fshatin Shalës, i cili ishte ulur së bashku me banorë të tjerë të fshatit.
Goditja ka qenë fatale, në pjesën e ballit dhe si pasojë e hemorragjisë 40-vjeçari nuk ka mundur të jetojë, duke mbërritur i vdekur në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Dëshmitarët të pranishëm në skenën makabre nuk kanë mundur të bëjnë gjë tjetër veç të lajmërojnë policinë. Ata kanë pranuar se gjithçka ka ndodhur në mënyrë të rrufeshme dhe janë gjendur para faktit të kryer pa mundur të parandalojnë krimin.Pasi ka kryer krimin vrasësi ka vazhduar në rrugë me sëpatë në dorë për të shkuar të vetëdorëzohej në polici. Por, është arrestuar rrugës nga efektivat e grupit të gatshëm.
Burime të policisë thonë se autori i krimit konsiderohet një njeri me shqetësime psikike, pasi rezulton me kartelë mjekësore në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Ai ka qëndruar për 7 muaj dhe më pas ka dalë nga spitali. Shkaku i vrasjes, sipas policisë ka lidhje me xhelozinë. Mësohet se 42- vjeçari kishte pasur edhe konflikte të tjera me baxhanakun e tij dhe shkak ishte xhelozia për bashkëshorten. «Mos me gjuante se jam i pafajshëm»
Këto kanë qenë fjalët e vetme që autori i krimit ka thënë, duke pranuar vrasjen me sëpatë. "Unë përfundova në spital, pasi ai më kishte goditur. Këtë herë nuk durova dot më. Mos më gjuante jam i pafajshëm"..
Jo shumë kohë më parë, autori i krimit kishte përfunduar i dëmtuar me mjete të forta në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Këtë fakt, por edhe xhelozinë, ai nuk e kishte gëlltitur dot më dhe kishte gjetur momentin kur viktima kishte ardhur në fshatin e tij për të marrë pjesë në varrimin e një të afërmi. Sipas banorëve të fshatit Broshkë të komunës Papërr, disa herë dy baxhanakët kanë pasur sherre me njëri-tjetrin, por askush nuk e mendonte se 42-vjeçari do të arrinte deri aty sa do të godiste me sëpatë në mes të fshatit baxhanakun e tij.