Është koha e idealeve të Shqipërisë evropiane, jo e Gavroshit dhe e San Kylo-së
Kryeministri Berisha ironizon trakt-shpërndarjen e Ramës
Kryeministri Sali Berisha kritikoi qëndrimin absurd të Edi Ramës, madje duke tejkaluar çdo masë të papërgjegjshmërisë morale. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u miratua programi buxhetor afatmesëm 2010-2012, Berisha iu referuar një iniciative qesharake të kryesocialistit, i cili gjatë ditës së djeshme u hakërrye nëpër disa lagje të kryeqytetit, kryesisht në “Komunën e Parisit”, duke shpërndarë ftesa për protestën e 20 nëntorit. Berisha tha se të tilla veprime nuk janë normale dhe nuk i shërbejnë vendit. Kryeministri vuri në dukje se tashmë Shqipëria ka një marrëdhënie të re me Bashkimin Evropian, pas miratimit të kërkesës së statusit kandidat dhe liberalizimit të shpejtë të vizave. Nisur nga ky fakt konkret, kryeministri dënoi situatën pështjelluese që po shkakton opozita në tërësi dhe Edi Rama në veçanti me trakt-shpërndarjen e tij, me qëllim konfuzionimin e situatën politike në vend. “Komuna e Parisit është arkivuar në histori me Gavrosh dhe San Kylo e të tjerë. Kur vendi anëtarësohej në NATO, bëhej miting proteste. Tani, në vend që të festojë, siç unë e ftova që të dalim së bashku ta përshëndesim këtë akt, shpërndan trakte tek Komuna e Parisit. Kjo nuk është roli që duhet të luash në shoqëri”, u shpreh Kryeministri.
Berisha e ftoi përsëri Ramën që t’i japë fund shterpësisë politike e t’i rikthehet bashkëpunimit parlamentar.
“Edhe një herë, gjej rastin të ftoj opozitën për bashkëpunim, t’i lërë praktikat, të cilat i ka gjetur vetë si pemë pa kokrra. Tani është periudha e idealeve europiane dhe nuk ka ideale më të dëshiruara për çdo qytetar shqiptar. Nuk mund të nxish në festë. Dhe kjo është festë. Si ky vendim, po ashtu edhe mesazhi i qartë për liberalizimin e vizave që u dha dje në mbledhjen e ministrave të Brendshëm dhe nga Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Barrot”, deklaroi kreu i qeverisë, Sali Berisha.