“Kursi politik i opozitës, në shërbim të interesave personale të Edi Ramës”
Reagon Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësimin e saj lidhur me shfaqjet e fundit politike të Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi, duke sulmuar në mënyrën më monstruoze të mundshme zhvillimet madhore që lidhen me integrimin e Shqipërisë në BE. Sekretari i Përgjithshëm i LSI dhe njëherazi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili u shpreh se Edi Rama po u përgjigjet me mllef dhe baltosje thirrjeve konstruktive dhe dashamirëse të mazhorancës për të kontribuar në procesin historik të integrimit të vendit. “Jemi të shqetësuar për këtë kurs politik të ndërmarrë nga opozita, i cili është vënë vetëm në dispozicion të interesave personale, karrieriste dhe korruptive të kryetarit të PS. Thirrjeve konstruktive dhe dashamirëse të mazhorancës për të kontribuar në këtë aksion historik, ai i përgjigjet me mllef dhe baltë. Po si mundet që Edi Rama akuzon për vonesë në Integrim?!!!! Është e vërtetë që Integrimi i Shqipërisë duhet të ishte më i shpejtë dhe të gjithë kanë përgjegjësi për këto vonesa, por Edi Rama është njeriu i vetëm që nuk mund të flasë për vonesa pasi për 10 vjet në Tiranë, mezi arriti të përgatisë një gjysmë plan rregullimi, por dhe ai në funksion të interesave të ngushta klienteliste, ndërkohë që duhet ta bënte atë që në mandatin e parë, dhe ky është rekordi shqiptar vonesave”, deklaroi Vasili.
Zyrtari i lartë i LSI shtoi më tej se Shqipëria po ecën përpara në procesin e liberalizimit të vizave dhe kjo po vlerësohet shumë pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë duke realizuar ëndrrën e shqiptarëve të cilët nga qytetarët më të izoluar 20 vjet më parë, do të mund të lëvizin si qytetare normale Evropianë.
Sipas tij, është vërtetë dëshpëruese që vetëm Edi Rama e përjeton si makth këtë arritje kaq të madhe dhe ndërsa kohë më parë bënte kasandrën, e thoshte se aplikimi i Shqipërisë nuk do të kalonte sepse nuk ishin realizuar standardet e zgjedhjeve vetëm sepse zgjedhjet nuk i fitoi vetë dhe sot flet e sikletoset për vonesa.
Për sa i takon raportit të fundit të TIA-s mbi perceptimin e korrupsionit në vend, Vasili theksoi se Rama nuk mund të alarmohet për korrupsion në Shqipëri, për sa kohë në procesin e lejeve të ndërtimit, Bashkia e Tiranës është e 173-ta në Botë.
Gjithashtu Vasili reagoi dhe për sulmet e vazhdueshme të mercenarëve të Ramës për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, duke shtuar se, “ai është gëzuar gjithmonë për çdo problem që ndodhte atje pasi ka qenë kundra ndërtimit të kësaj vepre historike dhe ka hedhur baltë pa fund ndaj saj, ndërkohë që balta mbyt Tiranën vetëm mbas pak orëve me shi”.