“Bashkia e Tiranës, kështjella e korrupsionit në vend, Edvin Rama e ka kultivuar personalisht”

Raporti i TIA-s, PD hedh poshtë akuzat e opozitës
Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj klizmave mediatike të Edi Ramës, i cili për të arritur “kënaqësinë” e tij politike, këtë herë keqpërdori Olta Xhaçkën. Nisur nga një raport i pabesueshëm dhe aspak serioz i Transparency International mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri, Partia Socialiste, ka hedhur akuza të njëpasnjëshme në drejtim të qeverisë, por kurrsesi nuk ka përmendur korrupsionin dhe ryshfetin galopant që është bunkerizuar prej vitesh në Bashkinë e Tiranës.
Përmes një deklarate për shtyp, vetëm pak minuta pasi zëdhënësja e Ramës, Xhaçka akuzoi qeverinë, zëdhënësja e Partisë Demokratike, deklaroi se kështjella e fundit e korrupsionit në Shqipëri, është Bashkia e Tiranës. Duke arsyetuar rreth këtij konstatimi real, zëdhënësja e PD-së bëri me dije vetëm për vitin 2008 Rama mori për vetë së bashku me Eftimiun dhe Shkrelin 70 për qind të lejeve të ndërtimit.
“Kryetari i Partisë 1 pallat 1 votë nxori Xhaçkën, e cila në një klizmë para kamerave akuzoi qeverinë në lidhje me raportin e publikuar dje nga ‘Transparency International’ për indeksin e perceptimit të korrupsionit në Shqipëri. E vërteta është që kështjella e vetme e korrupsionit në Shqipëri ka mbetur Bashkia e Tiranës. Korrupsionin e mbron Edi Rama, i cili vetëm gjatë vitit 2008 mori për vete së bashku me Eftimin dhe Shkrelin e tij 70 për qind të lejeve të ndërtimit. Korrupsionin e mbron Edi Rama që nuk dërgon për miratim Planin Rregullues të Kryeqytetit në KRRTRSH”, u shpreh zëdhënësja e selisë së PD-së.
Ajo theksoi se nuk ka kurrfarë mëdyshjeje se korrupsionin e mbron Edi Rama që e ka kthyer praktikën e marrjes së lejeve të ndërtimit në praktikën më korruptive dhe abuzuese në planet, ku njerëzve të thjeshtë i duhen 400 ditë për të marrë një leje ndërtimi dhe ku të vetmit njerëz për të cilët aplikohen procedura të përshpejtuara janë radha e deputetëve që Rama i ka futur në vathën e Bashkisë.
“Korrupsionin e mbron Edi Rama dhe ata që bllokojnë heqjen e imunitetit dhe votimin e ligjit për Gjykatën Administrative”, tha më tej zëdhënësja e PD-së.
Në emër të Partisë Demokratike, zëdhënësja e partisë më të madhe në pushtet, i bëri thirrje deputetëve milionerë dhe ndërtues që të lënë bojkotin dhe të futen në parlament.
“Në përfundim i bëjmë edhe një herë thirrje Edi Ramës dhe deputetëve të tij ndërtues të futen në Parlament dhe të japin kontributin e tyre përkrah mazhorancës në luftën kundër korrupsionit”.