E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Është një Apoloni e re, por jo inferiore”



Pas pushimit të së dielës, fierakët iu rikthyen ditën e djeshme përgatitjeve për kampionatin e ri. Edhe java e re ka nisur me dy seanca stërvitore në ditë. Paradite, ata kanë punuar nën drejtimin e përgatitësit Gjergji Poloska në aspektin atletiko-fizik, ndërsa pasdite i janë nënshtruar punës me topin. Pavarësisht lodhjes, të gjithë janë të kënaqur nga puna e bërë dhe nga përfitimi që po bëjnë në rritjen e parametrave të tyre individual, por dhe të skuadrës në përgjithësi. Këtë e shpreh edhe mbrojtësi shijakas i këtij ekipi Shkëlzen Kelmendi, që do të luajë për të dytin sezon me fanellën bardhejeshil. “Ne jemi një skuadër me lojtarë të shumtë në moshë të re dhe pa përvojën e duhur, por kjo nuk e zbeh aspak synimin tonë për të qenë të suksesshëm në kampionatin e ri”, pohon Kelmendi. Sipas mbrojtësit të djathtë të Apolonisë, i gjithë grupi po punon me dëshirë e vullnet për të arritur më të mirën në këtë grumbullim në Pogradec. “Trajneri Gjoka duke filluar nga dje, i ka orientuar përgatitjet tona më shumë në aspektin tekniko-taktik duke kërkuar që të luajmë me kujdes në mënyrë që topi të preket me pak takime, gjë që rrit ritmin dhe lëvizshmërinë tonë si futbollistë. Mbrojtja ku unë bëj pjesë po kthehet në një repart solid, të harmonizuar dhe me një bashkëveprim perfekt”, përfundon Shkëlzen Kelmendi. Përsa i takon merkatos së skuadrës fierake, mësohet se drejtuesit po punojnë në dy pista, si në tregun vendës ashtu dhe në atë të huaj, për të afruar një mbrojtës,një mesfushor organizator dhe një sulmues, që i duhen ekipit. Pasditen e djeshme, është bashkuar me ekipin një futbollist brazilian që luan si sulmues, i cili do të jetë për një provë disa ditore tek ekipi fierak dhe do të vëzhgohet nga trajneri Gjoka, që më pas do të japë dhe mendimin e tij për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›