Tragjedia, akuzë për vrasje të trefishtë ndaj pronarit italian
ITALI
Prokuroria e Firences po heton vdekjen e dy fëmijëve shqiptarë dhe nënës së tyre me pistën e një vrasje të shumëfishtë. Ky është versioni i Prokurorisë italiane ndërsa ndezja e një cigareje nga qiradhënësi i familjes Gjonaj, dyshohet se ka shkaktuar tragjedinë, që u mori jetën nënës dhe dy fëmijëve të saj në një provincë të Firences në Itali. Ka qenë Tommaso Mengoni, pronari i shtëpisë, ai që ka zbuluar shkaqet e shpërthimit, gjatë dëshmisë që ka dhënë për policinë italiane nga spitali, ku po mjekohet nga djegiet e rënda që ka pësuar. “Shpërthimi ndodhi pasi ndeza një cigare”. Kështu është shprehur para mjekëve dhe policëve Tommaso Mengoni, pronari i ndërtesës ku banonte Angjelina Gjonaj, 37-vjeçare dhe dy fëmijët e saj, Doriani dhe Dorina, të cilët humbën jetën mëngjesin e së dielës. Dëshmia e Mengonit, është dhënë edhe para mjekut personal që e trajtoi menjëherë sapo erdhi në urgjencë me shenjat e djegies në trup dhe u shënua në kartelën mjekësore. Këtë tashmë e kanë në dorë policët dhe hetuesit e tragjedisë. Sipas mediave italiane, mësohet se Mengoni i ka thënë mjekëve edhe se pak më parë se të ndodhte shpërthimi, kishte ndjerë që nga jashtë një person që të ankohej për erën shumë të rëndë të gazit që kishte marrë gjithë ndërtesa. Sipas tij, nga zëri ishte pikërisht gruaja shqiptare, Angjelina Gjonaj, që banonte një kat sipër pronarit, që kishte njoftuar se era që mbante nuk ishte e zakontë.
HETIMET
Një nga hipotezat e hetuesve është që pasi u sinjalizua nga gruaja, pronari i ndërtesës është çuar nga shtrati dhe ka ndezur një cigare, e cila më pas shkaktoi tragjedinë. Ngjarja ndodhi paraditen e së dielës, ku si pasojë e shpërthimit humbi jetën nëna me dy fëmijët adoleshentë, ndërkohë që bashkëshorti i saj, Gëzim Gjonaj ishte nisur për në Shqipëri vetëm një ditë para ngjarjes, pasi kishte humbur punën në zonën ku banonin. Fqinjët tregojnë se ata kanë qenë njerëz të respektueshëm, ndërkohë që gruaja, punonte në restorant aty pranë dhe njihej si shumë e zonja dhe bujare. Djali, Doriani, pak para se të humbiste jetën nën rrënoja, po bëhej gati të dilte për të luajtur ndeshje me shokët e skuadrës, pasi ka qenë i apasionuar pas futbollit. Familjarët e viktimave kanë fajësuar pronarin e ndërtesës, duke e etiketuar atë si një njeri jo normal. Të njëjtën gjë ka deklaruar ditën e tragjedisë para mediave edhe kryebashkiaku i provincës Barberinos në Firence, Gian Piero Luchi, i cili ka thënë që Mengoni ishte një personazh pak i veçantë, i cili në të kaluarën kishte krijuar incidente të vogla. Ndërkohë edhe fqinjët e familjes Gjonaj kanë dëshmuar në polici se kanë qenë edhe tre raste të tjera, kur në ndërtesë ka pasur rrjedhje gazi, por që fatmirësisht janë mbyllur pa pasoja. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, mësohet se nëna dhe 2 fëmijët, do të kishin mundur t’i shpëtonin vdekjes në rast se do të hidheshin nga dritarja e katit të dytë, nga ku po kërkonin ndihmë. Por shpërthimi ka ndodhur shumë shpejt, duke mos iu dhënë viktimave asnjë mundësi shpëtimi. et.de
“Shpërthimi nga kontakti i gazit me cigaren”
Sipas mediave italiane, bëhet e ditur se shpërthimi në banesën dykatëshe ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit gjatë gjithë natës, që në mëngjes ka rënë në kontakt me cigaren që ka ndezur pronari i shtëpisë. Ky përfundim është nxjerrë nga grupi hetimor pas dëshmisë që ka dhënë nga spitali Tommaso Mengoni, i dyshuari i vetëm, deri në një masë ka pranuar fajin për gjithë atë tragjedi që ka shkaktuar.
Kryefamiljari Gonaj kërkon trupat e viktimave
ITALI - Në familjen Gonaj në Malësinë e Shkodrës janë hapur dyert e mortit, ndërkohë kryefamiljari Gëzim Gonaj ka mbërritur mëngjesin e djeshëm në Itali. Ai mësohet se ka udhëtuar përgjatë gjithë natës për të marrë viktimat, gruan 37-vjeçare, Angjelinën dhe dy fëmijët, Dorinën dhe Dorianin, 14 dhe 13-vjeçarë. Mediat italiane, që shkruajnë lajmin përshkruajnë një burrë të rrënuar nga dhembja dhe në kulmin e dëshpërimit. Ai ka kërkuar që të marrë trupat me vete, procedurë që shpreson të finalizohet të mërkurën. Mësohet se emigranti shqiptar ka hyrë në kontakt me autoritetet italiane, të cilat besohet se nuk do të shkaktojnë vonesa, pasi të përfundojnë procedurat rutinë në trajtimin ligjor të ngjarjes, konkretisht në hetimin e saj pjesë e të cilit është edhe ekzaminimi i kufomave të viktimave të tragjedisë.
Nderimi, 4 marsi shpallet ditë zie në lokalitet
ITALI – Ngjarja tragjike ku humbën jetën dy fëmijët shqiptarë dhe nëna e tyre në Itali, duket se nuk do të kalojë lehtë në lokalitetin, ku qëndronte familja e emigrantëve shqiptarë nga Shkodra. Mediat italiane shkruanin dje se Bashkia e provincës Barberino del Mugello, në Firence, të cilës i janë drejtuar të afërmit, ka treguar gatishmëri për të dhënë ndihmën e saj për të kontribuar për shpenzimet e përgatitjes në agjencitë funerale dhe udhëtimin drejt Shqipërisë. Autoritetet lokale përveçse të heqin shpenzimet e transportit të kufomave drejt Shqipërisë mësohet se kanë vendosur që krahas kësaj, të shpallin datën 4 mars 2009 si ditë zie, në nder të përcjelljes së trupave për në vendin e origjinës, në Shqipëri. Vendimi është marrë nga Bashkia e lokalitetit dhe është konfirmuar nga burime zyrtare të cituara prej mediave italiane.
Gjyshja: S’më treguan, por zemra ma ndjeu tragjedinë
MALESI E MADHE / RIDVAN DIBRA
Morti ka mbërthyer familjen Gonaj në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe, pasi lajmi i vdekjes së tre anëtarëve të saj në Itali kishte marrë dhenë. I pari e ka mësuar ngjarjen e rëndë babai i dy fëmijëve dhe burri i Angjelinës, Gëzim Gonaj. Me urgjencë ai është nisur drejt Italisë bashkë me dajën e së shoqes. E vetmja që nuk ka ditur asgjë për tragjedinë ka qenë gjyshja e fëmijëve, Zoja. Askush nuk i ka treguar asaj, derisa dje në mëngjes, rreth 24 orë pas tragjedisë, ajo ka ndjerë diçka. “I thashë djalit tjetër: Më trego se çfarë ka ndodhur, ndryshe nuk do më shohësh më! Petriti më tha se Angjelina bashkë me Dorianin e Dorianën kishin vdekur nga shpërthimi i gazit. Nuk e desha më jetën, por çka me ba?! Ishte puna e Zotit e më të nuk armiqësohemi dot”.
Që nga mëngjesi i djeshëm, në portën e shtëpisë së ndërtuar vitet e fundit kanë hyrë e dalë qindra vetë që ngushëllonin Zojën e familjarët e tjerë për humbjen e madhe, por që rëndohet më tepër se trupat e pajetë janë ende në shtetin fqinj. Ndërkohë që burrat janë nisur për të marrë trupat e pajetë të nënës dhe dy fëmijëve të saj, të vetmet që presin miq për ngushëllim janë gratë e të afërmit e fisit të Gëzim Gonajt. Gjyshja e fëmijëve Zoje Gonaj pohon se lajmin e morën përmes telefonit. “Erdhi daja i nuses, Lini e kërkoi të takonte Gëzimin. Pasi u takua me të, Lini i ka dhënë lajmin e kobshëm se nusja e tij Angjelina është djegur në banesë duke gatuar gjellën. Vetëm kaq dinte. Menjëherë Gëzimi është nisur me Linin për në Itali. Ndërsa mua më treguan vetëm sot në mëngjes. Tashmë që na ndodhi kjo mynxyrë, mua nuk më mbetet asgjë tjetër vetëm se t’i shoh nusen, nipin dhe mbesën nëpër letra”, shprehet Zoja e përlotur. “Atë natë që Gëzimi erdhi në shtëpi nga Italia, (tre ditë më parë) foli dy herë në telefon me gruan dhe fëmijët. Doriani e Dorina më thoshin në telefon: “Si të dukemi gjyshe? A po të pëlqejmë pasi tash i kam lanë edhe flokët e gjata”, më pat thanë Doriani”. Gjyshja tregon se Doriani për moshën që kishte ka qenë shumë i dashur me shokët e ata e donin, ngaqë ai merrej dhe me futboll. “Djali më pati premtuar se këtë verë do t’i sillte fëmijët në Shqipëri për pushime dhe do t’i linte deri në shtator. Por nuk qe e thënë, - pohon Zoja duke qarë me dënesë. - Tashmë gjyshja do t’i takojë e shohë nipërit e vet dhe t’i kujtojë nëpërmjet fotografive dhe letrave. Gëzimi është djali im i dytë. E kam shtëpinë plot me nipër e mbesa, por për gjyshen kjo që ndodhi ishte tepër e rëndë. Ne nuk dimë se kë të fajësojmë, por mund të themi se kjo qe një ”dhuratë” nga Zoti, prandaj na vetëm me të nuk mund të armiqësohemi. Tani duam që të vijnë trupat e tyre e ne t’i qajmë sipas zakonit”.
Familja Gonaj, në Itali me gomone
Gëzimi dhe Angjelina kishin 8 vite që jetonin në Itali. Familjarët e tyre tregojnë se i pari shkoi Gëzimi e më pas nusja me dy fëmijët. Ata u bashkuan me kryefamiljarin, duke kaluar detin me gomone. Pas peripecive të para më së fundi ata u sistemuan dhe u stabilizuan atje, në një provincë të Firences, por fati deshi që ata të mos e gëzonin jetën e tyre në Itali, por aty të gjenin vdekjen. Tragjedia do të merrte 4 vetë, nëse Gëzimi nuk do të ndodhej në Shqipëri prej disa ditësh.
Reagimi
Të afërmit e familjes Gonaj, nëpërmjet mediave, i bëjnë apel shtetit që të ndërhyjë për të sjellë sa më shpejt trupat e tre viktimave në banesën e tyre në Malësi të Madhe. Njëri prej tyre, Prek Gonaj, tha dje se, përgjegjësi ka edhe pronari i shtëpisë ku ka jetuar Gëzimi, bashkë me nusen dhe fëmijët. “Ata i paguanin të gjitha detyrimet pronarit të shtëpisë, prandaj ai nuk duhet të ndahet aq lehtë, vetëm pse është i plagosur”, pohoi Gonaj, në emër të familjarëve të tjerë që dje mbushnin oborrin e shtëpinë e viktimave dhe pse nën një shi që nuk pushoi gjatë gjithë ditës.
4 viktima
do të ishin shënuar në familjen Gonaj nga Malësia e Madhe, nëse kryefamiljari do të ndodhej në Itali në momentin e tragjedisë. Ai ishte në vendlindje prej pak ditësh
24 ore
pas tragjedisë së ndodhur në Itali, gjyshja e fëmijëve, Zoje Gonaj ka mësuar në shtëpinë e saj në Malësi të Madhe fatin e keq të nipërve dhe të nuses së djalit