Berisha: Do aplikojmë në BE brenda qershorit
ADI SHKEMBI
Tirana zyrtare konfirmon qëndrimin për të aplikuar për marrjen e statusit kandidat në BE brenda këtij gjashtëmujori. Me gjithë insistimin e zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian dhe Presidencës çeke, qeveria shqiptare është e vendosur të mos tërhiqet nga deklarata e saj fillestare për të paraqitur kërkesën brenda muajit qershor. Këtë e konfirmoi sërish dje Kryeministri Berisha gjatë një mbledhje me deputetët e grupit të tij parlamentar. “Presidenca çeke shpresoj të krijojë këshillin, por natyrisht Shqipëria tani i ka të gjitha rrugët e hapura që brenda Presidencës çeke të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit”, theksoi kreu i qeverisë. Pak ditë më parë, ministri i jashtëm çek, Shvarcenberg, përdori kuptimin figurativ të një shtëpie të mbushur me ujë, për të treguar se BE-ja nuk është gati për këtë hap të Shqipërisë, nisur nga kriza ekonomike. Dhe pikërisht, duke përdorur të njëjtën gjuhë, kreu i qeverisë tha se Tirana zyrtare do të presë “deri sa uji të thahet pak”, por do të aplikojë brenda këtij afati. “Se mund të shtyhet pak është normale. Natyrisht do të presim sa të thahet pak uji, sepse ne i mirëkuptojmë miqtë tanë, por brenda Presidencës çeke ne do ta paraqesim aplikimin dhe e meritojmë plotësisht për faktin se përfundoi tërësisht marrëveshja, edhe raporti i Komisionit Evropian është i tillë, që jep dritën jeshile tërësisht për Shqipërinë, ndaj dhe u ndala më shumë sot në këtë moment, sepse edhe ky është një moment historik, është një hap jashtëzakonisht i madh në drejtim të realizimit të projektit tjetër madhor të kombit për këtë shekull; anëtarësimi i Shqipërisë në BE”, theksoi kreu i qeverisë. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i qeverisë bëri të ditur se Greqia ka depozituar në Bruksel MSA-në e firmosur pak javë më parë në Parlament mes Shqipërisë dhe BE-së dhe në fillim të prillit kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi. “Në këtë kohë merr forcë kontrata më e rëndësishme që Shqipëria ka firmosur ndonjëherë me Bashkimin Europian. Shqipëria me hyrjen në fuqi të marrëveshjes është një vend i asociuar, i cili do të veprojë tërësisht dhe detyrimisht mbi bazën e kësaj kontrate. Deri më sot ajo ka qenë vullnet, tani ajo është shndërruar në detyrim”, theksoi më tej kreu i qeverisë.
Të drejtat e njeriut
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ka respektuar të drejtat e njeriut. Duke bërë krahasimin e protestave të sotme të opozitës me ato të kohës kur ai ka drejtuar pakicën, Berisha tha se, “gjithashtu është respektuar dhe nuk ka pasur asnjë të dëmtuar në protesta, asnjë të lënduar, nuk ka pasur asnjë lloj kufizimi. I keni parasysh burgjet e tmerrshme të tyre se si plasnin nga 30-50 opozitarë në një qeli, i keni parasysh plagosjet dhe vrasjet e opozitarëve?”