E Diel, 1 Nëntor 2026

Halili bën presion: 14 lojtarë i heq nga ekipi



Presidenti i Tiranës, Refik Halili, paralajëmron se 14 futbollistë të afruar së fundmi në ekip nuk do të jenë pjesë e tij pas përfundimit të fazës përgatitore. Kështu, tek 24 herë kampionët e vendit parashikohet një revolucion për sa i përket përbërjes së lojtarëve. Nga informacionet e marra, pakënaqësitë e Halilit vijnë pasi te bardheblutë janë afruar futbollistë, të cilët nuk kanë veshur më parë fanellën e ekipit. Për më tepër që afrimet janë bërë pa miratimin e tij. Skuadra do të mbërrijë në kryeqytet të premten, nga ku nis përgatitjet dyjavore, para nisjes së kampionatit. Kështu, çështja e afrimeve pritet që të sjellë sërish përplasje në klub. Kjo, pasi shefi i klubit Dimraj, sipas burimeve ka afruar në skuadër rreth 14 lojtarë të rinj, për t’u marrë në provë. Por një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer aspak presidentit Halili. Ai ka konfirmuar se kur ekipi të kthehet nga përgatitorja nuk do të firmosë kontratat e këtyre lojtarëve, pasi nuk i dëshiron ata. Nga informacionet e marra, presidenti nuk është dakord me faktin që të jetë shefi i klubit Dimraj që të vendosë për ardhjen e futbollistëve, kur e drejta i është dhënë atij, të fituar pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›