E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrufeja godet shtëpitë, 1 plagoset

 

PERMET - Rrufeja godet shtëpitë e fshatit malor Mbrezhdan të Përmetit. Pesë pjesëtarë të familjes Gjikdhima kanë ngelur pa ndjenja pas kësaj goditjeje, ndërkohë që njëri prej tyre ka pësuar djegie në këmbë. Fenomeni natyror ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, gjatë një periudhe të shkurtër kohore kur binte shi dhe breshër. Banorët e fshatit të alarmuar nga vetëtimat e njëpasnjëshme kanë hyrë me urgjencë në vatrat e tyre për t’iu shmangur rrufeve që kishin intensitet dhe oshëtimë të jashtëzakonshme. Por mesa duket rrufeja u ka rënë brenda në shtëpi. Dy prej familjeve të fshatit, Gjikthima dhe Kolnasi kanë qenë në shënjestër të goditjeve të elektricitetit atmosferik. Frika dhe paniku ka mbizotëruar jo vetëm tek anëtarët e këtyre dy familjeve, por tek të gjithë banorët e fshatit. Goditja e parë ka ndodhur në banesën njëkatëshe të familjes Gjikdhima, ku të pestë anëtarët e familjes kanë rënë pa ndjenja në tokë ndërkohë që rrufeja kishte lënë pas shembjes së mureve të shtëpisë dhe flakë në trarët e çatisë të banesës përdhese. Fillimisht është përmendur e zonja e shtëpisë, Kono Gjikdhima dhe më pas edhe e bija si dhe tre nipat e mbesat e saj. Vetëm një nga 5 të goditurit nga rrufeja pati pasoja në trup dhe kjo ishte vajza e shtëpisë, 25-vjeçarja Krisulla Gjikdhima, e cila ka pësuar një djegie në këmbë. Banorët e shtëpisë patën deklaruar me telefon për gazetën “Panorama” se nga goditja e rrufesë janë shkaktuar dëme në mure dhe në pemët frutore, të cilat kanë marrë flakë në një mot me shi dhe breshër të rrëmbyeshëm.        p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›