E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet Benazir Bhutto, liderja e opozitës

Zemërimi dhe dhuna ka shpërthyer në Pakistan pasi liderja e opozitës, Benazir Bhutto, u vra pas një tubimi politik. Kamikazë mbi një motoçikletë qëlluan mbi ish-kryeministren Bhutto në qafë dhe gjoks, ndërsa ajo po hynte në makinën e saj, pas një mitingu në Ravalpindi, më pas hodhën veten në erë duke u marrë jetën të paktën 16 personave e duke plagosur shumë të tjerë. Ajo mësohet se vdiq sapo mbërriti në spital, në orën 18.16 sipas orës lokale. Mbështetësit e zemëruar të Bhutto-s dolën nëpër rrugët e qytetit të Karraçit, për të shpalosur zemërimin e tyre kundër qeverisë. Kishte raporte për të shtëna armësh, si edhe makina të djegura nëpër provincën Sind dhe në qytetin veriperëndimor të Peshavarit, ndërsa njerëzit thërrisnin në kor kundër Presidentit pakistanez, Pervez Musharaf, të cilin e akuzonin për konspiracion me vrasësit e saj. Kur Bhutto u kthye në Pakistan, në tetor, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, pas tetë vitesh në azil, militantët islamikë kërcënuan se do ta vrisnin atë duke e cilësuar një mbështetje të luftës kundër terrorizmit, të promovuar nga Shtetet e Bashkuara dhe mbrojtëse të të drejtave të gruas. Më 18 tetor, një kamikaz vrau rreth 150 persona, ndërsa Bhutto po kalonte mes përmes qytetit jugor të Karaçit dhe mijëra njerëz kishin dalë t‘i uronin mirëseardhjen. Ajo shpëtoi për mrekulli. Ndërkohë, nga anembanë botës vijnë reagime. Rusia ka deklaruar se vrasja e Bhutto-s do të zhyste vendin dhe rajonin në një destabilitet politik, si edhe do të ushqente ndjenjat terroriste. Departamenti amerikan i Shtetit tha se kjo ishte një përpjekje për të penguar pajtimin në Pakistan, ku gjendja e jashtëzakonshme u hoq pak orë më herët. Sekretari i jashtëm britanik e cilësoi vrasjen një sulm kundër demokracisë, që nuk duhej të kish ndodhur, si edhe lëvdoi Bhutto-n për kurajën dhe angazhimin e saj për vendin. Pas vrasjes, Musharaf thirri një mbledhje urgjente të qeverisë për të diskutuar nëse duheshin shtyrë zgjedhjet e përgjithshme, të paracaktuara për më 8 janar, apo jo. Pas Musharafit, Bhutto ishte figura politike më e njohur në vend dhe kishte shërbyer dy mandate si Kryeministre, mes viteve 1988-1996. Ajo respektohej në Perëndim për këndvështrimet e saj liberale dhe vendosmërinë për të luftuar ekstremizmin islamik, një temë që ajo shpesh e prekte në fjalimet e saj. Edhe në fjalimin e saj të fundit, përmendi çmimin e lartë që ajo dhe familja e saj kishin paguar për devocionin politik: i ati u var dhe katër anëtarë të tjerë të familjes së saj janë vrarë. Pak minuta më vonë, ajo ishte e vdekur. Vrasja e saj ka lënë një boshllëk në Partinë Popullore të Pakistanit, grupi më i madh politik në vend. Ajo, gjithashtu, ka trazuar planet e Presidentit Bush për të kthyer stabilitetin në Pakistan, një vend aleat i SHBA-së në luftën kundër terrorit. Në fakt, shpërthimi që i mori jetën ish-kryeministres pakistaneze ishte akti i dytë i dhunës politike ditën e djeshme. Më herët, njerëz të armatosur brenda zyrave të një partie politike që mbështet Musharafin hapën zjarr mbi mbështetësit e opozitarit Navaz Sharif, duke vrarë katër prej tyre. Ky i fundit ishte larg. Kur dëgjoi për vrasjen e Bhutto-s, Navaz Sharif mbërriti menjëherë në spital dhe foli para turmës. "Benazir Bhutto ishte edhe motra ime dhe unë do të jem me ju për të marrë hak për vdekjen e saj", tha ai. "Nuk jeni vetëm. Unë jam me ju. Ne do të marrim hak mbi sundimtarët".

Biografia

Benazir Bhutto, bija e një dinastie të madhe

E dashur për Perëndimin, beniamine e amerikanëve, Benazir Bhutto, simbol i demokracisë, modernizmit, i revolucionit femëror, vdiq në një atentat dy muaj pas kthimit në atdhe, pas tetë vitesh në azil, e lodhur nga një betejë e gjatë kundër akuzave për korrupsion të supozuar dhe nga dyshimet për kompromise të errëta me regjimin. Bhutto-t, ashtu si Nehru-Ghandit në Indi, si Kenedit në Shtetet e Bashkuara, janë një nga dinastitë më të mëdha politike në botë. Babai, Zulfiqar Ali Bhutto ishte i pari civil i zgjedhur të drejtojë një qeveri në Pakistan. Pronarë tokash, tejet të pasur në një vend, ku akoma sot 73 për qind e 160 milionë banorëve jeton me më pak se dy dollarë në ditë, Bhutto-t kanë një histori tragjike, të mbushur plot me vdekje të parakohshme. Kështu, babai i Benazirit, Zulfiqar, u var në 1979-ën, dy vite pasi u arrestua pas një grushti shteti të gjeneralit të tij, Zia ul Haq. Benazir asokohe ishte 26 vjeçe e madje edhe vetë ajo ishte në burg, ku qëndroi për pesë vjet, pjesën më të madhe të të cilëve në izolim. E pa, bashkë me të ëmën, për gjysmë ore para ekzekutimit të paralajmëruar, pa mundur as ta përqafojë, rrëfen vetë ajo në autobiografinë "Bija e Lindjes". Vëllai, Myrteza, që duhej të ishte bërë lider i Partisë Popullore Pakistaneze, të themeluar nga i ati, u arratis në Afganistan pas vdekjes së Zulfiqarit. Nga jashtë, ai udhëhoqi një rezistencë kundër regjimit ushtarak dhe në 1993-shin u zgjodh deputet në azil. Tre vjet më pas, ndërsa u kthye në atdhe, u vra në rrethana akoma misterioze në Karaçi. Vëllai tjetër, Shahnavaz, u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Kanë të Francës, në 1985-ën. Vejusha e Myrtezait, Ghinva, udhëheq një fraksion të Partisë Popullore të Pakistanit dhe kundërshtoi kthimin në atdhe të kunatës, duke e quajtur atë "një emisare të Presidentit Bush në Pakistan". Trashëgimtare politike e Zulfiqarit, në 1988-ën, 35 vjeçe, e bukur, Bhutto bëhet gruaja e parë në botën myslimane që drejton një qeveri, e zgjedhur me votën e pakistanezëve pas vdekjes së gjeneralit Zia. Në 1990-ën ajo u shkarkua në mesin e një morie akuzash për korrupsion, pak a shumë të bazuara. Në fakt, në shumë raste roli i bashkëshortit të saj, Asif Zardari, është shumë i diskutueshëm. "Mister 10 përqindëshi" e quajnë në Pakistan, duke iu referuar përvetësimeve të paligjshme të miliona dollarëve nga arkat e shtetit, për të cilat ai akuzohet. Pas dhjetë vjetësh, asnjë prej 18 akuzave kundër Zardarit nuk është vërtetuar në gjykatë, por, gjithsesi, ai ka kaluar të paktën tetë vjet në burg. U la i lirë në 2004-ën me kusht. Presidenti Pervez Musharaf ka firmosur 5 tetorin e shkuar një amnisti të kritikuar, që anuloi të gjitha krimet dhe akuzat kundër Bhutto-s dhe të shoqit, duke i hapur rrugë kështu një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit. Në 1999-ën, pasi ishte inkriminuar (por disa kaseta të regjistruara provuan se gjykatësit i ishin nënshtruar presionit të qeverisë së atëhershme të Navaz Sharifit) Bhutto la vendin dhe jetoi në Dubai, bashkë me tre fëmijët. Më 18 tetor të këtij viti, Benazir Bhutto kthehet në Karaçi. Mijëra mbështetës zbresin nëpër rrugë për të festuar kthimin e saj. Rreth mesnatës, ndërsa korteu po kalonte, një kamikaz hodhi veten në erë në mes të turmës. Bhutto mbeti e paprekur, por në sulm vdiqën të paktën 139 pakistanezë dhe rreth 400 të tjerë u plagosën. Ishte ky atentati më i rëndë në historinë e Pakistanit. Bhutto akuzoi elementë të Shërbimeve Sekrete Pakistaneze dhe konfirmoi se do të vazhdonte të udhëhiqte Partinë Popullore të Pakistanit në zgjedhjet legjislative të parashikuara për në janar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe shikonin tek ajo një lidere liberale, që do të mund t‘i kishte dhënë legjitimitet luftës kundër terrorizmit të gjeneralit Musharaf.

Ka thënë...

Për atentatin kundër saj

"Disa njerëz mund të mendojnë se kthimi im në Pakistan, pavarësisht kërcënimeve, është naiv. Por, nëse beson në një kauzë, duhet të paguash çmimin"

Për kërcënimet kundër jetës së saj

"Unë e di fort mirë se kush do të më vrasë. Bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të ish-regjimit të gjeneralit Zia, që qëndrojnë pas ekstremizmave dhe fanatizmave"

Për kthimin në Pakistan

"Ne duhet të kthehemi te rrënjët e moderacionit dhe demokracisë dhe të garantojmë autoritet qeverisës jetëgjatë dhe të qëndrueshëm në vendin tonë"

Për akuzat për korrupsion

"Kjo është një fushatë tipike dezinformomi nga ana e regjimit aktual"

Për zgjedhjet në janar 2008

"Qeveria ka krijuar një grup të fortësh. Ata kanë pajtuar gangsterë që do të vendosen në qendrat e votimit, me uniforma policie dhe do të dhunojnë votën"

Për ekstremistët islamikë

"Militantët janë fuqizuar dhe legjitimiteti i qeverisë është dobësuar. Në veri të vendit, flamuri i Pakistanit është ulur dhe është ngritur ai i ekstremizmit"

"Janë edhe medresetë politike që u mësojnë nxënësve të tyre se si të bëjnë bomba, si të përdorin pushkët dhe si të vrasin gra, fëmijë e të moshuar"

Për Presidentin Musharaf

"I kërkoj gjeneralit Musharaf të japë dorëheqjen, të tërhiqet, të largohet, t‘i japë fund gjendjes së jashtëzakonshme. Nuk do të mund të punoja me të, pasi nuk kam besim tek ai"

"Unë dua të shpëtoj demokracinë dhe nëse diktatura e gjeneralit Musharaf mund të marrë masat e nevojshme të demonstrojë se Pakistani po ecën drejt demokracisë, ne do ta ndihmojmë"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›