E Diel, 1 Nëntor 2026

Asfiksohet familja, vdes nëna, në rrezik 4 fëmijë

Një festë fetare është kthyer në mort gjatë natës, duke u gdhirë e enjte, në fshatin Shtoj i Ri të Shkodrës. Tragjedia ka ndodhur në familjen Lugina, ku një grua 33 vjeçe ka vdekur, ndërsa burri i saj me dy fëmijët, si dhe dy mysafirë që gjendeshin në banesë janë të shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje kritike për jetën. Mësohet se shkak për këtë ngjarje të rëndë është bërë asfiksia nga tymi i gjeneratorit dhe një sobë gazi, të cilat janë lënë ndezur gjatë gjithë natës. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 01.00 të mëngjesit të djeshëm, kur pjesëtarët e familjes Lugina dhe dy mysafirë të vegjël kanë qenë duke fjetur. Familja në fjalë, që kishte disa vjet që ishte larguar nga Dukagjini dhe jetonte në fshatin Shtoj i Ri, 10 kilometra larg qytetit të Shkodrës, kishte kremtuar të mërkurën në mbrëmje festën fetare të Shën Gjonit, një festë tradicionale për zonën e Dukagjinit. Sipas dëshmive të të afërmve të familjes Lugina, në momentin e fundit të festës kanë ikur dritat dhe i zoti i shtëpisë ka ndezur një gjenerator, të cilin e ka lënë ndezur edhe gjatë natës, në korridorin e jashtëm të shtëpisë. Por kur të gjithë kanë rënë për të fjetur, tymi i gjeneratorit, si dhe gazrat e çliruar nga një sobë ngrohjeje me gaz të lëngshëm, që ka qenë gjithashtu ndezur gjatë gjithë natës, kanë asfiksuar pjesëtarët e familjes dhe mysafirët. I zoti i shtëpi, Gëzim Lugina, është zgjuar nga gjumi rreth orës 07.00 të mëngjesit dhe ka ndier vështirësi të mëdha në frymëmarrje. Më pas ai ka parë se të gjithë pjesëtarët e familjes ishin pa ndjenja, sikundër edhe motra dhe vëllai i gruas së tij, të cilët kishin ardhur mysafirë për Shën Gjon. Burri ka dhënë menjëherë alarmin dhe është munduar t‘u japë ndihmën e parë të afërmve, por gruaja e tij, 33 vjeçe, Liza Lugina, ka gjetur vdekjen pa mbërritur në spital. Dy fëmijët e çiftit, Fatjon e Fatjona Lugina, përkatësisht 3 dhe 8 vjeçe ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës, ndërsa në gjendje kritike për jetën ndodhen edhe Shkurte Arra, 14 vjeçe, dhe Kolë Arra, 18 vjeç, të cilët janë motra e vëllai i viktimës Liza Lugina. Një i afërm i viktimave, Dedë Koçeku, duke folur për gazetën, tregoi se "ka qenë ora 07.15 e mëngjesit, kur një fqinj i Gëzimit më mori në telefon dhe më tha se në familjen Lugina kishte rënë mort. Ai kishte dëgjuar britmën e Gëzimit, të zotit të shtëpisë, i cili kishte kërkuar ndihmë. Unë nuk u vonova, se e kam shtëpinë afër. Kur hymë brenda në shtëpi, ajri ishte shumë i rëndë, saqë u detyruam të dilnim përsëri dhe të vendosnim nga një copë leckë te hundët. Në shtëpi, që të gjithë ishin pa ndjenja, në gjendje kome. Nxorëm fillimisht fëmijët e vegjël jashtë banesës dhe më pas të mëdhenjtë. Vumë re që trupi i gruas kishte filluar të ftohej. E dërguam menjëherë në spital të gjithë familjen, por për fat të keq, gruaja nuk arriti t‘i shpëtojë vdekjes". Sipas mjekëve të spitalit rajonal të Shkodrës, megjithëse situata e pesë personave që po marrin ndihmë mjekësore paraqitet e rëndë, shëndeti i tyre është drejt përmirësimit. Më shumë probleme paraqet shëndeti i fëmijëve të vegjël të familjes Lugina, të cilët, si pasojë e thithjes së gazrave helmues, kanë pësuar shumë dëmtime në rrugët e frymëmarrjes.

Dëshmia

Gëzim Lugina, i cili dje humbi gruan, ishte kthyer këtë javë nga Greqia, ku punonte prej disa vitesh. Nga shtrati i spitalit të Shkodrës ai ka treguar për gazetarët se si ndodhi tragjedia në shtëpi: "Unë jam emigrant në Selanik të Greqisë dhe jam kthyer prej andej dy ditë më parë, për të festuar me familjen time festat e fundvitit. Mbrëmë ishte edhe Shën Gjoni, një festë katolike, për të cilën u mblodhëm të gjithë së bashku. Pasi përfunduam gjithçka, ngritëm sofrën dhe ramë për të fjetur, por lamë ndezur një ngrohës me gaz..."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›