E Diel, 1 Nëntor 2026

21 bebe kanë ardhur në jetë nga programi IVF në maternitetin “Koço Gliozheni”

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Dy vajza binjake kanë ardhur në jetë sot në “Ditën e Verës”, në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, duke sjellë gëzim për prindërit e tyre, të cilët prej 10 vitesh po përpiqeshin të bëheshin me fëmijë.

Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, lindja u bë e mundur falë trajtimit të fertilizimit in vitro (IVF), i realizuar në Qendrën e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar, një shërbim i mbështetur nga buxheti i shtetit.

MIA bëri të ditur se deri më tani, përmes këtij programi në maternitetin “Koço Gliozheni” kanë ardhur në jetë gjithsej 21 bebe, duke i dhënë shumë familjeve mundësinë të realizojnë ëndrrën e prindërimit.

Qendra e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (IVF) në Shqipëri, shpesh e integruar në QSUNT, ofron procedura si inseminimi artificial dhe fertilizimi in vitro, të mbështetura pjesërisht nga buxheti i shtetit për çiftet me probleme infertiliteti. Ky shërbim synon aksesin në kujdesin riprodhues dhe lehtësimin e kostove financiare për trajtimet e infertilitetit.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›