E Diel, 1 Nëntor 2026

7 Marsi, festa e dhuratave të mësuesve

Çdo vit, në ditën e 7 Marsit të gjithë janë mësuar të urojnë përzemërsisht mësuesit, ata që e ushtrojnë profesionin, por edhe ata që kanë dalë në pension. Por ndonjëherë vetëm urimi nuk mjafton. Këtë e dinë shumë mirë jo vetëm nxënësit, që janë në bankat e shkollës për të fituar dije, por edhe prindërit e tyre, që shqetësohen jo pak për ecurinë e fëmijëve të tyre në mësime.

Dhe në një ditë të veçantë si ajo e 7 Marsit, shqetësimi i vetëm për prindërit dhe fëmijët, sidomos për ata të shkollave 9-vjeçare është dhurata, që do të dorëzohet në mëngjes te mësuesja kujdestare. Buqetat me lule janë minimumi që çdokush detyrohet të bëjë në këtë ditë feste, por edhe ato jo gjithmonë mjaftojnë. Në thuajse të gjitha shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit mësueseve të dashura u janë bërë dhurata nga më të ndryshmet, (përveç buqetës tradicionale të luleve), duke filluar nga bizhuteritë e kozmetika e deri te skulpturat prej porcelani dhe alabastre apo ndonjë porosi e thënë ashtu me marifet në vesh të ndonjërit nga nxënësit e preferuar.

Megjithatë, nxënësit janë mësuar me këtë rutinë të përvitshme dhe mendojnë jo pak për këtë ditë. Hegla është një nxënëse e klasës së 7-të në shkollën 9-vjeçare "Fan Noli". Ajo pohon se ka një javë që diskuton me shoqet se çfarë dhurate do t‘i bëjnë mësueses kujdestare. Më në fund kanë zgjedhur një pikturë. Zgjedhje intelektuale që duket se ka lënë mjaft të kënaqur edhe mësuesen në këtë 7 Mars. E megjithëse dhuratat kushtojnë, për ata që kanë mundësi financiare, një kujtim për mësuesen nuk është ndonjë humbje e madhe. Është ky mendimi që shfaq Erisa, 11-vjeçare, mamaja e së cilës është vetë mësuese, por jo në shkollën e saj. Prindërit, nga ana tjetër, tregohen të pakursyer kur vjen puna për peshqeshet e 7 Marsit. Megjithatë, një pjesë e tyre duket se i "bien shkurt". "Preferoj që t‘i jap një zarf me 5 mijë lekë të reja mësueses së djalit dhe me to le të blejë atë çfarë i pëlqen", shprehet Shpresa, një 35-vjeçare intelektuale, e cila këto "detyrime", siç thotë edhe vetë, nuk i lë asnjëherë mangut me mësueset e të voglit të saj.

Në shkollat e mesme duket se situata ndryshon pak, por jo për nga peshqeshet që u dërgohen mësueseve. Ndryshimi mbetet vetëm te mënyra e organizimit. Pjesa më e madhe e klasave në shkollat e nivelit të mesëm në kryeqytet preferojnë që të organizohen së bashku, në mënyrë që të kenë mundësi të zgjedhin dhurata "impresionuese" për mësueset me rrogë "për të qarë hallin". Një grup vajzash, nxënëse në një shkollë të mesme të përgjithshme në Tiranë, shprehen se kanë mbledhur lekë nga e gjithë klasa. Shuma në dukje është modeste vetëm 5 mijë lekë të vjetra. Por, po ta shumëzosh me numrin e nxënësve që ka një klasë që aktualisht shkon deri në 45 apo 50 vetë, atëherë mendimi mund edhe të ndryshojë. Vajzat janë të pakënaqura, pasi jo të gjithë nxënësit e kanë paguar detyrimin për mësuesen kujdestare, ndaj dhe ato vendosën të bënin një listë vetëm me emrat e atyre që kishin paguar. Ndoshta kjo listë mund të mos i hyjë në punë mësueses, që nuk ka se si të tregohet hakmarrëse gjatë vitit me ndonjërin nga nxënësit, që nuk e vrau shumë mendjen për t‘i bërë asaj një dhuratë. Në të gjithë vendin janë 36 mijë mësues. Të paktën gjysma e ka merituar të marrë një dhuratë në këtë ditë të shënuar. Dhe po kështu edhe dyqanxhinjtë duhet të mbeten të kënaqur për nivelin e shitjeve, që në ditë të tilla feste rriten si për të mbuluar mungesat e ditëve të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›