E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nënë Tereza", që prej katër ditësh nuk kryhet asnjë analizë

Sot mbushen plot 5 ditë që nga kryerja e analizave të fundit në spital. Për katër ditë me radhë, në këtë spital nuk janë bërë analizat e kërkuara nga mjekët për të vazhduar normalisht punën për vendosjen e diagnozës, trajtimin, kurimin apo qoftë edhe për të ditur gjendjen e pacientit, në rast se nevojitet urgjent që ai të operohet. Askush nuk thotë asgjë, sepse kërkesat apo ankesat kanë shkuar aty ku s‘mban më, si nga personeli ashtu edhe nga pacientët. Por të paktën mjekët diçka thonë: "Nuk e di se kush thotë që ky spital është modern, sigurisht ata që nuk e dinë se si funksionon një spital. Kemi katër ditë që nuk bëjmë analiza, më mirë t‘i vëmë një dry spitalit e të ikim të gjithë në shtëpi", thotë njëri nga mjekët e vjetër të 6-katëshit.

Sipas tij, tashmë mungesat në spital nuk janë më risi, sepse pacientët pothuajse po blejnë gjithçka, por në listën e "zezë" të mungesave po futen edhe reagjentët e nevojshëm për të kryer analizat. Faktin e mungesave e ka pranuar edhe drejtoria e spitalit, e cila numëron çdo ditë nga 5 deri në 10 ankesa për mungesa të reagjentëve, grafive, pajisjeve të tjera për të vendosur në përdorim aparaturat diagnostikuese.

"Çdo ditë kemi nga 5 deri në 10 ankesa në drejtori për mungesa reagjentësh apo për ilaçe. Ndonjëherë kemi edhe për mjekët", u shpreh zyrtarisht drejtoria e QSUT-së. Në listën e mungesave nuk janë vetëm reagjentët, as ilaçet e sëmundjeve të vështira që kanë më shumë se një vit e gjysmë që janë bërë problem. Në radhën e mungesave janë filma të nevojshëm për skanerë, elektroda, të cilat vendosin në punë biçikletën, aparatin që të shikon se si punon zemra në rastet e sforcimit. Mangësitë e tjera vazhdojnë pa zgjidhje me ditë, javë, muaj apo dhe vite të tëra. Si në rastin e aparaturës së shkrirjes së gurit në veshka. Mbushen më shumë se 3 vjet, që kur ajo është prishur dhe nuk punon. Zgjidhja në mungesë të saj mbetet operacioni ose shkrirja te privati.

Kitet, një pjesë e domosdoshme për të kryer ekzaminimet e ndryshme, si ato të AIDS, matja e hekurit në gjak për talasemikët apo të tjera si këto, janë pajisje, të cilat mund të blihen vetëm me anë të tenderëve. Në të kundërt, me blerjet e vogla që nuk kalojnë shumën e 300 mijë lekëve të reja nuk mund të përmbushin të gjitha nevojat. Pesë muaj kanë edhe pacientët me Hepatit C, të cilët kanë ndërprerë kurën e trajtimit, vetëm sepse në tenderin e kaluar janë harruar të blihen një pjesë e mirë e ilaçeve. Ndërkaq, kontrata e restaurimit është një dokument rregullator në të cilën firmosin dy palë. Në këtë rast spitali dhe tekniku i huaj. Kur një aparaturë blihet apo bëhet dhuratë, drejtoria spitalore duhet të nënshkruajë edhe një kontratë servisi me specialistët përkatës, që në rast se pajisja prishet ai të vijë ta rregullojë. Kështu, edhe pacientët nuk mbeten në radhë apo në mëshirën e fatit. Duke parë që më shumë se 50 për qind e aparaturave të falura është më mirë t‘i blesh nga e para se t‘i restaurosh, është marrë një vendim nga Ministria e Shëndetësisë: "Inventarizimi dhe më pas flakja".

Për sa u takon reagjentëve që nevojiten urgjentisht, drejtoria e spitalit do të bëjë blerje të vogla, ndërsa ka nisur përshpejtimi i procedurave të tenderit për të furnizuar spitalin me të gjitha mungesat e përsëritura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›