E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton: Do dyfishojmë rrogat e arsimtarëve

Kryeministri Berisha ka takuar dje një grup mësuesish me rastin e ditës së 7 Marsit. Pas përshëndetjes, kreu i qeverisë nuk ka lënë pa përmendur edhe premtimin për dyfishim të buxhetit të arsimit dhe rrogave të mësuesve. "E ftova këtë grup mësuesesh dhe mësuesish në zyrën time, për t‘u dhënë zotimin se qeveria ka vlerësimin më të madh për misionin e tyre", tha Berisha. Ai theksoi se qeveria po ecën drejt dyfishimit të buxhetit për arsimin dhe është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të rritur cilësinë e arsimit. "Ne u jemi shumë mirënjohës mësuesve dhe të gjithë pedagogëve të universiteteve, për përkushtimin e madh që tregojnë në përmbushjen e detyrës së tyre fisnike", tha Berisha. Gjithashtu, me rastin e 121-vjetorit të shkollës së parë kombëtare shqipe dhe laike, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, përshëndeti rreth 36000 mësues të arsimit parauniversitar në një ceremoni festive. Ministri tha se dy objektivat tona kryesore janë: Rritje e përgjegjësisë zyrtare individuale dhe institucionale, e kombinuar me shtimin e transparencës ndaj përfituesve të shërbimit arsimor; menaxhim mbi bazën e performancës, kryesisht në nivel shkolle, e kombinuar me zgjerimin gradual të autonomisë shkollore. Pollo theksoi se "rikonstruktimi i bordit të shkollës, realizimi i planit të mësuesit dhe shkollës, ndarja e përgjegjësive financiare në nivel shkollor, vendor e qendror, e shoqëruar me rritje të autonomisë financiare, reformimi i kurrikulës në bërthamë dhe atë opsionale, rritja e fleksibilitetit të saj nëpërmjet "10 përqindëshit" të programit dhe "orëve të lira", reformimi i strukturës së arsimit profesional bazuar në kornizën evropiane të kualifikimeve dhe në atë kombëtare; rritje e përshtatshmërisë së këtij të fundit ndaj kërkesave në ndryshim të tregut të profesioneve janë elementet e rëndësishme të reformave në arsimin parauniversitar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›