OSBE, ndërmjetëse për më shumë gra në zgjedhje
Prezenca e OSBE-së ka nxitur ligjvënësit shqiptarë në miratimin e projektligjit për barazinë gjinore. Por, përveç kësaj duket se kjo organizatë do të shndërrohet edhe në një ndërmjetëse mjaft të mirë për prezencën më të madhe të grave në procesin elektoral. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, tha dje se shpreson shumë që projektligji për barazinë gjinore në Shqipëri, paraqitur së fundi Kuvendit shqiptar për rishikim, do të miratohet së shpejti. "Ky projektligj përmban shumë veçori të reja, si emërimin nëpunës për barazinë gjinore në të gjitha nivelet e administratës, si dhe futjen e kuotave në organet vendimmarrëse," tha ai. Ambasadori Bosch u shpreh se gjatë procesit të reformës aktuale zgjedhore, ka qenë e rëndësishme rritja e ndërgjegjësimit mes vendimmarrësve mbi nevojën e marrjes së masave të posaçme që do të promovonin dhe do të mbronin pjesëmarrjen e grave në zgjedhje. Duke përmendur faktin se prezenca, së bashku me UNIFEM-in dhe Këshillin e Evropës, kanë mbështetur së fundi disa projekte për të ndihmuar pjesëmarrjen e grave në proceset zgjedhore, ai i inkurajoi gjithë parlamentarët që të bëjnë më të mirën për t‘u ofruar grave garancitë e mjaftueshme për të bërë të mundur pjesëmarrjen e tyre afatgjatë në politikë dhe jetën publike. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme, që së bashku me partnerët e saj vendas dhe ndërkombëtarë të ofrojë asistencë të mëtejshme teknike në hartimin e akteve nënligjore në funksion të zbatimit të plotë të ligjit për barazinë gjinore në shoqëri, pohojnë përfaqësuesit e saj. Ambasadori Bosch, gjithashtu, u shpreh mjaft i kënaqur për faktin se "këto ndryshime të reja janë rezultat i një bashkëpunimi prej më se dy vjetësh midis Drejtorisë për Mundësi të Barabarta të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta, PNUD-it, UNFPA-së, UNIFEM-it dhe prezencës së OSBE-së".