Një balerinë kërcen mbi "qumësht" për jetimët
Një tortë e madhe katrore, e bukur për t‘u parë, jo vetëm nga ngjyrat, por edhe nga kërcimi i balerinave elegante sipër ëmbëlsirës. Kjo ka qenë dhurata e parë që nxënësit e Shkollës së Baletit i kanë bërë Mishelit për 14-vjetorin e saj të lindjes. Një mendimi i këndshëm dhe i ëmbël sa dhe vetë torta.
Por nuk kanë mbaruar surprizat vetëm me një tortë për Mishelin. Shkolla e mesme koreografike, apo siç e njohin të gjithë Shkolla e Baletit, organizoi një festë të papritur për 14-vjeçaren dhe 37 shokët e saj që jetojnë në shtëpinë e fëmijës "Zyber Hallulli".
Nxënësit e Shkollës Artistike të Baletit kanë dhënë një spektakël të vërtetë për bashkëmoshatarët e tyre te "Zyber Hallulli".
Për rreth 2 orë të dyja shkollat e "binjakëzuara" kanë parë spektaklin e organizuar nga artistët e vegjël. Një divan i madh qëndronte para derës së korridorit të shkollës. Tek ajo kanape e madhe ishin ulur të gjithë fëmijët dhe përballë tyre kërcenin balerinët e veshur me rrobat sipas llojit të kërcimit. Mes vogëlushëve të shtëpisë së fëmijës qëndronte një balerinë e vogël, e veshur me të bardha me një fustan që shkëlqente. Ajo ishte mjellma që vallëzoi një kërcim neoklasicist "Liqeni i mjellmave". "Të urojmë të bëhesh 100 vjeç Mishel, ju premtoj që ne do të vijmë të bëjmë më shumë spektakle në shkollën tuaj dhe ju mund të vini të na takoni sa herë të doni", u tha të gjithë fëmijëve drejtoresha e Shkollës së Baletit, Blerina Arbana. Ajo dhe balerinët e saj kanë kërcyer me shumë dashuri për fëmijët jetimë, i kanë uruar shumë fat në jetë dhe i kanë premtuar se shkolla mirëpret të gjithë ata nxënës që ëndrrën në sirtar kanë artin dhe baletin. Po jo vetëm kaq, festa e ditëlindjes së Mishelit ishte një "pretekst" për t‘u afruar sa më shumë këtyre fëmijëve, që pavarësisht donacioneve, ndihmave apo fondeve të qeverisë përsëri mbeten të dëshiruar për më shumë vëmendje, kujdes dhe dashuri. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që nxënësit e Shkollës së Baletit kanë dashur të bëjnë diçka ndryshe në një ditë të zakonshme dhe jo më 1 qershor, atëherë kur gratë e shtetit apo biznesmenët kujtohen pa modesti për jetimët. Iniciativa për të qenë sadopak të dobishëm për shtëpinë e fëmijës ka ardhur nga vetë nxënësit. "Një vajzë e cila kishte të punësuar një nga prindërit te kjo shtëpi hodhi idenë për të bërë diçka ndryshe për jetimët", thotë mësuese Tefta. Kështu, në senatin e shkollës nxënësit kanë biseduar sesi do ta organizonin këtë "diçka ndryshe". "Menduam që paratë që do të mblidhnim nuk do të kishin shumë vlerë dhe peshë për këta fëmijë. Kështu që vendosëm t‘u dhuronim rrobat tona me shumë ngjyra. Mbështollëm 38 pako për të gjithë", thotë Sokoli, kryetari i senatit. Po ashtu, me një fond modest ata blenë ëmbëlsira, pije dhe tortën me balerinë për të festuar ditëlindjen e Mishelit. Janë dashur më shumë se 2 javë për të përzgjedhur rrobat e sjella në shkollë nga të gjithë balerinët. Më pas janë përzgjedhur muzika dhe kërcimet që do të jepeshin gjatë shfaqjes. Puna e fundit ka qenë konfigurimi i tortës. Përfundimisht është zgjedhur një tortë e thjeshtë katrore me disa ngjyra, e bardhë, jeshile, rozë dhe një balerinë si ajo e Shkollës së Baletit, që kërcente mes sheqerit dhe qumështit.
"Herën tjetër do të dhurojmë gjak për fëmijët që vuajnë nga sëmundjet e gjakut dhe për të gjithë ata që kanë nevoja urgjente për dhurimet tona", tha drejtoreshë Arbana.